MotoGP po ndjek shembullin e Formula 1 dhe, duke nisur nga viti i ardhshëm, në garat e motoçiklizmit do të aplikohet “gara sprint”. Kjo garë do të jetë sa gjysma e garës normale dhe do të zhvillohet çdo të shtunë para garës.
Ndryshe nga Formula 1, që zhvillon vetëm 3 gara sprint në një sezon, në MotoGP do të zhvillohet gara sprint në çdo garë.
Lajmin e zyrtarizuan nga Austria, ku u zhvillua gara e fundit, drejtuesit e Dorna, kompania që menaxhon garat e MotoGP. “Duhet më shumë spektakël, më shumë tifozë, për të qenë më të ndjekur edhe ditën e shtunë”, tha Carmine Ezpeleta, presidenti i Dorna.
“Në përgjithësi kemi diskutuar gjithçka, kanë mbetur vetëm disa detaje. Gara sprint do të japë pikë për pilotët, por nuk do të caktojë radhën e nisjes së tyre në garën e së dielës”, tha Ezpeleta. Pritet që pikë të marrin 9 pilotët e parë (i pari 12 pikë).
Sipas Dorna, botërori i MotoGP nuk do të pësojë një përmbysje të madhe. Do të eliminohet sesioni i katërt i provave të lira. Gara sprint do të nisë në bazë të rezultatit që pilotët do të arrijnë në provat zyrtare që do të zhvillohen në mesditën e së shtunës.