Digjen 400 hektarë pyje me pisha, flakët tmerrojnë pushuesit në ishullin Hvar
Duhet të ishte një sezon festiv buzë plazhit por është kthyer në tmerr për këta pushues në bregdetin kroat teksa kanë parë flakët t’u afroheshin pistave të vallëzimit buzë detit dhe hotelet e kërcënuara nga zjarri.
Një i vdekur dhe disa të plagosur është bilanci i betejës me flakët në ishullin Hvar. Viktima, një banor vendas u dogj teksa po përpiqej të shuante flakët dhe të shpëtonte banesat me ekskavatorin e tij.
Presidenti Zoran Milanovic teksa ka vizituar këtë zonë u bëri thirrje njerëzve që të mendojnë fillimisht për veten në rast zjarri. Ai kërkoi nga qeveria që të shtojë numrin e avionëve për shuarjen e zjarreve dhe të dënohen ashpër zjarrvënësit.
Rrufetë kanë shkaktuar rreth 30 zjarre në qarkun Split-Dalmaci. Për shkak të terrenit të vështirë, zjarrfikësit kanë tentuar disa herë që të vënë nën kontroll zjarret, ndaj është dashur ndërhyrja me avionëë nga ajri. Janë djegur rreth 400 hektarë pyll i dendur me pisha, si dhe janë djegur e kërcënuar nga flakët edhe disa shtëpi.
Gjatë natës tmerr kanë përjetuar mijëra turistë të huaj në një nga plazhet më të njohura në Kroaci, Zrć, në ishullin Pag. Autoritetet evakuuan 10,000 njerëz kryesisht të huaj që po festonin atje, askush nuk u lëndua. Flakët ishin përhapur me shpejtësi, duke iu afruar klubeve.
Klan News