Shefi i NATO-s: Është në interesin e Europës që Rusia të mos e fitojë luftën!

Stoltenberg deklaron se lufta në Ukrainë është koha më e rrezikshme pas Luftës së Dytë Botërore

Lufta në Ukrainë është momenti më i rrezikshëm për Europën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe Rusia nuk duhet të fitojë. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një fjalim në vendin e tij të lindjes.

“Kjo është situata më e rrezikshme në Europë që nga Lufta e Dytë Botërore.Nëse presidenti Putin mendon të bëjë diçka të ngjashme me një vend të NATO-s siç ka bërë me Gjeorgjinë, Moldavinë apo Ukrainën, atëherë e gjithë NATO do të  reagojë menjëherë”.

Për shefin e NATO-s është në interesin e Europës që “politikat agresive” të Moskës të shtypen dhe se aleanca duhet të parandalojë përhapjen e konfliktit.

Për të parandaluar suksesin e Moskës, NATO-s dhe vendeve anëtare të saj mund të duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me armë dhe ndihmë të tjera për një kohë të gjatë.

Atë që Moska e quan një “operacion special ushtarak”, Stoltenberg  e quan një sulm ndaj rendit aktual botëror.

“Ky nuk është vetëm një sulm ndaj Ukrainës, një komb i pavarur demokratik me më shumë se 40 milionë njerëz, është gjithashtu një sulm ndaj vlerave tona dhe rendit botëror që duam”.

Stoltenberg i bëri këto deklarata nga ishulli Utoeya ku një ekstremist vrau 69 persona në vitin 2011.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share