Ceremonia, Ilir Meta i dorëzon zyrën Bajram Begajt
Bajram Begaj nga pasditja e të dielës do të marrë zyrtarisht detyrën e Presidentit të Republikës. Në orën 18:00, Begaj do të betohet përpara parlamentit ku u zgjodh në 4 Qershor vetëm me votat e shumicës socialiste dhe vetëm një votë që rrodhi nga opozita .
Më pas në orën 19.15 do të drejtohet drejt selisë presidenciale ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e dorëzimit të zyrës se presidentit nga Ilir Meta tek Bajram Begaj. Tv Klan ka mësuar se janë dërguar 500 ftesa për pjesëmarrje në këtë ceremoni që do të zhvillohet në bulevardin Dëshmorët e Kombit e hapur për sytë e publikut.
Të ftuar janë nisur nga ish-Presidentët ndër vite, krerët më të lartë të shtetit e institucioneve publike e fetare, nuk do të mungojnë dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në vend si dhe personalitetet politike nga vendet fqinje, pjesa më e madhe nga Kosova.
Do të jenë 21 të shtëna topi që do të pasojnë luajtjen e himnit kombëtar nga orkestra frymore e forcave të armatosura, ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon në mënyrë simbolike Presidentit të ri librin themeltar të shtetit për të cilin duhet të betohet se do ta respektojë në frymë e ne gërmë përgjatë 5 viteve që do të ushtrojë mandatin presidencial.
Pas fjalimit të parë si president, Begaj në mënyrë protokollare duhet të shoqërojë të largohet paraardhesin e tij Ilir Metën, ndërsa vetë i shoqëruar nga familja e tij do të futet në presidencë.
Ilir Meta është Presidenti i parë në 30 vite për të cilin u ngritën 2 Komisione Hetimore Parlamentare që kërkonin shkarkimin e tij për shkelje kushtetuese, por që Gjykata Kushtetuese nuk i legjitimoi akuzat e shumicës socialiste ndaj dhe sot, ai do të largohet pas një mandati të plotë 5 vjeçar në detyrën e kreut të shtetit.
Meta ka premtuar se do kthehet aty ku e ka lënë 5 vite më parë, menjëherë të hënën e 25 Korrikut për të marrë drejtimin e partisë që ia besoi në këto vite bashkëshortes.
Tv Klan