Rama pas votimit të propozimit francez në RMV: ”Më në fund”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi Kuvendi i Maqedonisë së Veriut votoi sot propozimin francez.

Negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Parlamenti i Maqedonisë së Veriut sapo ia ka ndezur dritën jeshile propozimit të fundit francez. Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund.

U deshën plot 3 vite të stërmundimshme nga vendimmarrja e Këshillit Europian për t’i hapur rrugë negociatave, që vargmali i pengesave artificiale të ngritura përpara Shqipërisë të rrafshohet tërësisht. 3 vite të tëra top futbolli nëpër fushat e interesave të politikës së brendshme të vendeve anëtare – pa harruar edhe xhagajdurët e mëmëdheut, grata e non grata, që tërë këto vite nuk i lanë dy gurë bashkë, për ta bllokuar Shqipërinë për llogari të interesave mizerabël të politikës së tyre pa fe, pa atdhe, pa din e as iman. 3 vite me gjëma të pandara, nga tërmeti tek pandemia dhe tani mes pasojave të luftës në Ukrainë mbi çmimin e jetesës këtu e kudo në botë. Këto sfida të jashtëzakonshme kanë vënë në sprovë jo thjesht qeverinë, po karakterin tonë si vend, si bashkësi njerëzish dhe si shumicë qeverisëse natyrisht.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

Ja kemi dalë përsëri! Siç ia dolëm me tërmetin e me pandeminë, kur thuajse askush nuk e besonte se do t’ia dilnim, do t’ia dalim edhe me krizën e re që ka sjellë lufta, po edhe me negociatat që do ta bëjnë Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian.

Ja kemi dalë pa e ulur ritmin e reformave, të punës e të ndryshimit, pavarësisht premtimeve të pambajtura të BE-së. Do t’ia dalim duke e rritur më shumë ritmin, duke e përmirësuar më tej punën dhe duke e thelluar ende më tepër ndryshimin.

Ja kemi dalë pa u mposhtur nga zhgënjimet e as nga lëndimet jo të lehta të këtyre viteve. Do t’ia dalim duke vazhduar të nxjerrim mësime dhe duke mos ngurruar në korrigjimin e vetvetes.

Ja kemi dalë me kokën lart, duke arritur ta ngremë Shqipërinë në sytë e më të mëdhenjve, aty ku ajo s’ka qenë kurrë, e vlerësuar dhe e respektuar si e barabartë në çdo marrëdhënie ndërkombëtare. Por të mos e harrojmë, ky nuk është fundi i rrugës sonë, por vetëm fillimi i një pjese të re të rrugës për Shqipërinë që duam.

Delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit. Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë.

Faleminderit të gjithëve ju, që më mbështesni e inkurajoni apo më ngacmoni e nxini jetën me komentet tuaja. Faleminderit të gjithë shqiptarëve që me votën e tyre, na e kanë besuar neve, socialistëve e progresistëve, këtë mision historik për Shqipërinë dhe po ashtu, faleminderit, atyre që duke mos na e dhënë votën, na kanë bërë më luftarakë e kokëfortë për misionin e Atdheut tonë të përbashkët.

Faleminderit miqve e partnerëve tanë, që të gjithëve, për mbështetjen, kritikat, por edhe për refuzimet e viteve të fundit, të cilat na kanë ushqyer forcën, kalitur durimin dhe mprehur urtësinë.

Faleminderit në fund, por jo për nga rëndësia, edhe Lindës e fëmijëve, që mbajnë në këtë rrugë barrën e një sakrifice të mundimshme, të cilën veç ata e askush tjetër mund ta kuptojnë dot se çfarë halli është. – shkruan mes tjerash Edi Rama.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share