Bonuset për sezonin 2022-2023 të Champions, fituesi i kompeticionit siguron 85 milionë Euro shpërblime

Sezoni 2022-2023 i UEFA Champions League vlen 2 miliardë Euro. Kjo do të jetë shuma totale e çmimeve që UEFA do të shpërndajë për 32 klubet pjesëmarrëse në kompeticionin më të rëndësishëm kontinental.

Por si do të shpërndahen? Secili nga 32 klubet që do të kualifikohen në fazën e grupeve do të marrin 15.64 milionë Euro. Për çdo ndeshje do të merren 2.8 milionë Euro për fitore dhe 930 mijë Euro për barazim.

Kualifikimi në fazën e 1/16-ave vlen 9.6 milionë Euro, teksa në çerekfinale shifra do të rritet në 10.6 milionë Euro për secilin nga klubet e kualifikuara.

Bileta për raundin gjysmëfinal vlen 12.5 milionë Euro, ndërsa finalja e madhe shton 15.5 milionë Euro të tjera në arkat e klubeve. Bonusi për fituesin është 4.5 milionë Euro, me një total që shkon prej 85.14 milionë Euro për këdo skuadër që ngre lart trofeun me “veshë të mëdhenj”.

Një shifër e kënaqshme që do i shtohet kështu edhe një përqindje e të drejtave televizive, të cilat këtë sezon kapin vlerën e 300 milionë Eurove. Ndërkaq, dy klubet që do të kualifikohen për Superkupën e UEFA-s do të marrin secili nga 3.5 milionë Euro, me fituesin që siguron edhe 1 milion Euro të tjera shtesë.

Shifra që joshin këdo skuadër, duke konfirmuar edhe njëherë se Champions League nuk është vetëm një kompeticion prestigji, por edhe mjaft i rëndësishëm për financat e klubeve pjesëmarrësve.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share