Xhaferi: Ademi i provokuar – por nuk arsyetohet veprimi

“SITUATA TË TILLA TË MOS PËRSËRITEN”

Kryeparlamentari Talat Xhaferi, thotë se nuk e arsyeton por megjithatë vlerëson se Arbër Ademi nuk e kishte inicuar incidentin që ndodhi dy ditë më parë në komisionin për çështje evropiane. Xhaferi në brifingun me gazetarët theksoi se nuk do të kërkojë përgjegjësi nga asnjëra palë, pasi një gjë e tillë nuk është nën kompetencat e tij. Ai porositi që ngjarje të tilla të ngjajshme të mos përsëriten më, kushtimisht thënë, secili të qëndrojë në vendin e tij, raporton KlanMacedonia.

“Kjo nuk duhet të ndodhë në Kuvend dhe nuk do të ndodhë nëse ai që është deputet qëndron ulur në vendin e tij. Askush nuk duhet të reagojë ashtu, as pushteti as opozita. Bëj thirrje që të mos përsëritet, të mos ndodh dhe nuk do të ndodh nëse askush nuk e provokon një situatë të tillë. Ky është ligjvënës, ata janë deputetë dhe kanë përgjegjësi individuale.” – deklaroi Talat Xhaferi, kryeparlamentar

Lidhur me këtë ngjarje Xhaferi tha se i ka informuar edhe eurodeputetët gjatë takimit të djeshëm, ku edhe u ka dërguar edhe video incizimin origjinal të seancës.

Kryeparlamentari njoftoi më tej se ai do ta hap seancën e së enjtes, dhe do të qëndrojë deri tek rendi i ditës, i cili përbëhet nga vetëm një pikë, interpelanca ndaj tij.

Ai foli edhe për Skender Rexhepin, i cili së fundmi deklaroi se tani e tutje do të vazhdojë angazhimin e tij në Kuvend si deputet i pavarur. Lidhur me këtë çështje Xhaferi tha se përderisa Rexhepi nuk është deklaruar se do të jetë deputet i pavarur që kalon në pozicionin e opozitës, vazhdon të llogaritet si pjesë e shumicës parlamentare. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share