Ndalim i importit të arit dhe çmim tavan i ulët për naftën
Sulmi rus në Ukrainëështë në qendër të diskutimeve të samitit të liderëve të 7 ekonomive më të përparuara të botës, që nis këtë të dielë në kështjellën Elmau në alpet e Bavarisë.
Një prej sanksioneve të radhës që pritet të diskutohen, bllokimi i importit të arit nga Rusia, duke i hequr Moskës mbi 15 miliardë dollarë të ardhura, sa ç’ishte totali i eksportit rus të metalit të çmuar vitin e kaluar. Një tjetër sanksion i propozuar nga Uashingtoni dhe Londra është vendosja e një tavani çmimi për blerjen e naftës ruse, teksa bllokimi i importit po jep efekte negative në ekonomitë perëndimore.
Rusia mund të detyrohet nga perëndimi ta shesë naftën e saj me një çmim të ulët, aq sa të mos jetë në gjendje të financojë luftën në Ukrainë. Detyrimi mund të arrihet duke shfrytëzuar certifikimin e furnizimeve ruse që bëhet përmes shoqërive ndërkombëtare të sigurimit me qendër në Londër, pa garancinë e të cilave nuk lejohet shitja nëpër tregjet perëndimore.
Në samitin që mbyllet më 28 Qershor merr pjesë edhe presidenti amerikan Xho Bajden si dhe liderët e Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, Kanadasë, Japonisë.
Tv Klan