KALIMI I QYTETARËVE GJATË FUNDJAVAVE DO TË JETË PA KONTROLLE POLICORE DHE PA NDALIM NË DOGANË
Pas marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe të Kosovës, hapet kufiri për kalimin e qytetarëve pa kontrolle. Në doganën e Morinës qytetarët shprehen të kënaqur me këtë vendim.
Nis zbatimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Kosovës për hapjen e kufirit, ku qytetarëve të dy shteteve u mundësohet kalimi pa asnjë kontroll policor dhe asnjë ndalesë.
Kjo është fundjava e parë që zbatohet vendimi i marrë në mbledhjen e dy qeverive, që u mbajt më 20 qershor në Prishtinë. Qytetarët shprehen të kënaqur me këtë vendim dhe se u kursen kohën veçanërisht në sezonin e verës që krijohen radhë të gjata të automjeteve në kufi.
Përveç fundjavave, vendimi për të mos pasur kontrolle në pikat kufitare Kosovë-Shqipëri vlen edhe gjatë festave zyrtare
Vendimi i marrë në mbledhjen e përbashkët, do të jetë i vlefshëm deri më 30 shtator.