Samiti i BE-së për marrëdhëniet me Evropën Lindore

A DO TË JENË UKRAINA OSE BALLKANI PERËNDIMOR NË FOKUS?

Liderët e Bashkimit Evropian, si asnjëherë më parë, kanë vetëm një javë në dispozicion, para samitit më 23 dhe 24 qershor, t’i analizojnë dokumentet dhe të vendosin për atë nëse vendet e reja kandidate për anëtarësim do të jenë Ukraina dhe Moldavia. Konsiderohet se mendimi do të jetë pozitiv, duke pasur parasysh premtimet që krerët e tri ekonomive më të mëdha në BE, Franca, Gjermania dhe Italia, i kanë dhënë gjatë vizitës së Kievit javën e kaluar.

Pasi para disa ditësh Komisioni Evropian rekomandoi status të vendit kandidat për Ukrainën dhe për Moldavinë, edhe Holanda, njëra nga vendet më hezituese rreth zgjerimit të BE-së, posaçërisht në Ballkan, ka njoftuar se e mbështet statusin e kandidatit për Ukrainën. Samiti i BE-së të enjten dhe të premten në Bruksel do të tregojë nëse BE-ja do të jetë unanime rreth ftesës për Kievin, por edhe në përgjithësi për çfarë marrëdhënie me Evropën Lindore angazhohet. Analistët mendojnë se nuk do të bëhet fjalë për “po” ose “jo”, por për “kur” dhe me çfarë kushte do të shoqërohet vendimi.

Në agjendën e samitit janë edhe marrëdhëniet me Ballkanin Perëndimor dhe liderët e bllokut 27-anëtarësh do të kenë takim me krerët e gjashtë vendeve ballkanike të cilat presin anëtarësim për vite me rradhë. Pritet që liderët evropianë të kërkojnë nxitje të “integrimit progresiv” në mes BE-së dhe rajonit, duke mos e lënë anësh kriterin kryesor “meritat” për secilin vend veçmas. Pasiguria rreth bllokadës së Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut, të cilat nuk arritën ta zgjidhin kontestin e tyre dypalësh, për momentin mbetet, që edhe më tej e frenon rrugën për të ecur përpara edhe për Shqipërinë. Sipas analizës së EURAKTIV, risi në samit pritet të jetë debati për propozimin e Presidentit Francez Emanuel Makron për krijimin e “Bashkësisë Politike Evropiane”, e cila sipas projeksioneve fillestare do të duhet të sigurojë “platformë të koordinuar politike” për shtetet e gjithë kontinentit. Për momentin liderët e BE-së shprehin bindjen se “bashkësia e re nuk do të jetë zëvëndësim i politikës dhe instrumenteve ekzistuese të BE-së, posaçërisht jo zëvëndësim për procesin e zgjerimit”, por do të jetë plotësim i tyre, përkatësisht do ta respektojë plotësisht autonominë e vendimmarrjes së Bashkimit Evropian. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share