Në Murtinë të Strumicës sot është lëshuar në përdorim salla e re e sportit,e cila është ndërtuar në kuadër të Shkollës Fillore „Marshall Tito”.Bëhet fjalë për objekt bashkëkohorë prej 650 metra katrorë i cili është plotësisht i pajisur për disa sporte si volejboll, hendboll, futboll, basketboll, ping-pong dhe gjimnastikë, ndërsa në të cilin Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka investuar 23,5 milionë denarë.
Në hapjen e sallës sportive mori pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri i cili theksoi se me përfundimin e këtij investimi është realizuar një premtim i madh që është në interesin më të madh të nxënësve, për zhvillim të mirëfilltë dhe të shëndetshëm. Ai shpreson se pikërisht nga kjo shkollë dhe sallë sportive do të dalin shumë sportistë të rinj që do të mbrojnë ngjyrat e fanellave të kombëtares dhe do të jenë pjesë e klubeve të mëdha profesionale.
„Besoj se nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle janë shumë të kënaqur. Dhe sigurisht, banorët e kësaj ane dhe të vendbanimeve përreth do të mund të ndjejnë përfitimet e këtij investimi kapital, i cili realizohet me mjetet e siguruara nga buxheti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës e cila e mbështet realizimin e projektit kapital për ndërtimin dhe pajisjen e sallave sportive të shkollave dhe rikonstrukuimin e objekteve ekzistuese shkollore”, deklaroi Shaqiri.
Ministri informoi se aktivitetet investuese të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës vazhdojnë të realizohen me dinamikë të përshpejtuar, sepse, siç u shpreh ai, synimi ynë është që të ofrojmë kushte për arsim dhe sport sa më shumë për nxënësit, ashtu siç e meritojnë realisht.
„Prandaj, vetëm për momentin po ndërtohen edhe tre salla të reja sportive, ndërsa njëra do të fillojë së shpejti. Po ndërtojmë edhe 5 objekte të reja shkollore dhe mbi 40 janë duke u rikonstruktua. Vetëm vitin e kaluar dhe këtë vit në Strumicë me mjetet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë rikonstruktuar objektet rajonale të shkollës fillore „Sando Masev” në Dobrejcë dhe Banjicë. Plani për vitin 2022 parasheh rikonstruimin e shkollës fillore „ „Goce Dellçev” në fshatin Velusë me qëllim që objekti të jetë efikas energjetik, si dhe investim në çatinë e shkollës fillore të muzikës “Boro Xhoni”, theksoi Shaqiri duke shtuar se deri në vitin 2024 është planifikuar ndërtimi i sallës sportive në shkollën fillore „Sando Masev”, e cila do të jetë salla e katërt e ndërtuar në këtë qytet me projektin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Në hapjen e sallës sportive në shkollën fillore „Marshall Tito” mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Strumicës, Kostadin Kostadinov.