Putin kërkon të eksportohet gruri nga Bjellorusia

Presidenti rus Vladimir Putin në një intervistë për televizionin kombëtar është shprehur se Perëndimi po fajëson gjithnjë e më shumë Moskën për problemet në tregun global të ushqimit. Kreu i Kremlinit mohoi se vendi kishte vendosur një ndalim për eksportet e grurit nga portet ukrainase.

“Evropianët nuk i dëgjuan kërkesat tona urgjente për të mbajtur kontrata afatgjata për dërgesat e gazit natyror në vendet evropiane. Kjo pati një ndikim negativ në tregun evropian të energjisë. Çmimet u rritën por Rusia nuk ka të bëjë me këtë. Dhe kur çmimet e gazit natyror u rritën çmimet e plehrave kimik u rritën gjithashtu. Sepse disa plehra prodhohen me gaz natyror.Ne i kemi paralajmëruar politikanët evropianë”.

Rusia dhe Ukraina përbëjnë gati një të tretën e furnizimeve globale të grurit. Moska është gjithashtu një eksportues kryesor global i plehrave kimikë dhe Ukraina është një eksportues kryesor i misrit dhe vajit të lulediellit.

Moska dhe Minsku kanë fajësuar sanksionet perëndimore për ndërprerjen e eksporteve si të drithërave ashtu edhe të plehrave dhe shkaktimin e rrezikut të krizës globale të ushqimit.

Putin u shpreh se raportet për një ndalim të eksportit rus ishin “një blof” dhe se vendet perëndimore po përpiqeshin të mbulonin gabimet e tyre politike.

“Është një bllof. Dhe unë do t’ju them pse. Së pari, ka arsye mjaft objektive. Çdo vit prodhohen afërsisht 800 milionë ton drithë e kam fjalën për grurin. Tani po na thuhet se Ukraina është gati të eksportojë 20 milion ton. Njëzet milion ton në krahasim me të gjithë prodhimin botëror – sa është? 2,5 përqind. Për më tepër, nëse marrim parasysh këtë gruri është vetëm 20 për qind e të gjithë prodhimit ushqimor në botë dhe kjo do të thotë se ato 20 milionë tonë grurë ukrainas janë 0,5 për qind. Një pikë në oqean”.

Ushtria ruse ka kapur pjesën më të madhe të vijës bregdetare jugore të Ukrainës dhe luftanijet e saj kontrollojnë hyrjen në portet e vendit në Detin e Zi.

“Nëse dikush dëshiron të zgjidhë problemin e eksportit të grurit ukrainas – ju lutem, mënyra më e lehtë është përmes Bjellorusisë. Askush nuk po e ndalon atë. Por për këtë ju duhet të hiqni sanksionet nga Bjellorusia”, tha Putin.

Më herët udhëheqësi i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko tha se Minsk ishte i gatshëm të lejonte tranzitin e drithit të Ukrainës në portet gjermane, polake, baltike ose ruse nëpërmjet territorit të tij, nëse në këmbim lejohej të transportonte mallra bjelloruse nga ato porte.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share