Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar kursin e luftës duke bërë të ditur se do t’i ofrojnë Ukrainës raketa të avancuara për ta ndihmuar atë të detyrojë Moskën të negociojë përfundimin e luftës.
“Ne kemi lëvizur shpejt për t’i dërguar Ukrainës një sasi të konsiderueshme armatimi dhe municioni në mënyrë që ajo të mund të luftojë në fushën e betejës dhe të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e negociatave,” shkroi Biden në një artikull opinion në New York Times.
Në artikull e Biden u shpreh se qëllimi i SHBA-së ishte thjesht të shihte një Ukrainë “demokratike, të pavarur, sovrane”, jo të largonte Putinin nga roli i tij si president rus ose të kërkonte një konflikt më të gjerë me Moskën.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden tha se armatimi i ofruar do të përfshinte Sistemin e Raketave të Artilerisë me Lëvizshmëri të Lartë M142. Duke adresuar shqetësimet se armë të tilla mund të tërheqin Shtetet e Bashkuara në një konflikt të drejtpërdrejtë me Rusinë, zyrtarë të lartë të administratës thanë se Ukraina dha garanci se raketat nuk do të përdoren për të goditur brenda Rusisë.
Menjëherë pas shpalljes së vendimit të SHBA-së, ministria ruse e mbrojtjes tha se forcat bërthamore të Rusisë po zhvillonin stërvitje në provincën Ivanovo, në verilindje të Moskës, sipas agjencisë së lajmeve Interfax.
Rreth 1,000 ushtarakë po ushtroheshin në manovra intensive duke përdorur më shumë se 100 automjete, duke përfshirë lëshuesit e raketave balistike ndërkontinentale Yars. Trupat ruse tani kanë marrë nën kontroll pjesën më të madhe të qytetit industrial lindor të Sievierodonetsk në Luhansk, një nga dy provincat në Donbas.
Pothuajse e gjithë infrastruktura është shkatërruar dhe 60% e pronës së banimit ishte dëmtuar. Një fitore ruse në Sievierodonetsk dhe në qytetin e Lysychansk do të sillte kontrollin e plotë të Luhanskut, një nga dy provincat lindore që Moska pretendon në emër të separatistëve.
Ukraina thotë se armët e dërguara nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera që nga fillimi i pushtimit kanë ndihmuar në shmangien e fitimeve ruse. Sistemet e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë janë pjesë e një pakete armësh prej 700 milionë dollarësh. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për më shumë armë dhe ka kritikuar Bashkimin Evropian, i cili ra dakord të shkurtojë importet e naftës ruse.
Klan News