500 të vrarë nga sulmi mbi një spital në Gaza

Izraeli: U qëlluan nga një raketë e palestinezëve

Rreth 500 palestinezë u vranë nga një sulm ajror në një spital të Gazës të mbushur me pacientë dhe njerëz të zhvendosur për shkak të bombardimeve.

Ky është incidenti më i përgjakshëm në Gaza që kur Izraeli filloi fushatën e tij të pandërprerë të bombardimeve në shenjë hakmarrjeje ndaj aksionit të Hamasit më 7 Tetor.

Kryeministri palestinez e quajti atë “një krim të tmerrshëm, gjenocidi nga Izraeli” dhe tha se edhe vendet që mbështesin atë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Në krahun tjetër ushtria izraelite tha se nuk kishte asnjë detaj në lidhje me këtë bombardim, por po kryente hetime.

Ndërsa Forcat e Mbrojtjes së Izraelit deklaruan se spitali ishte goditur nga një predhë e lëshuar nga vetë militantët palestinezë.

Pentagoni tha se ishte në dijeni të raporteve për goditjen e spitalit, por nuk kishte detaje.

Më herët agjencia e refugjatëve palestinezë e Kombeve të Bashkuara tha se një sulm ajror izraelit kishte vrarë të paktën 6 persona në një nga shkollat e saj që funksiononte si strehë për njerëzit e zhvendosur.

Sulmi u pasua nga protesta të forta në Bregun perëndimor.

Ngjarjet vijnë një ditë përpara se presidenti amerikan Joe Biden të vizitojë në Izraelin. Ai do të takohet me kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe me krerët më të lartë të shtetit izraelit, ku në thelb do të jetë shprehja e mbështetjes së plotë për ta nga Uashingtoni.

Në Tel Aviv ishte këtë të martë kancelari gjerman Olaf Scholz që u evakuua për disa momente nga avioni pas një alarmi ajror në aeroportin e kryeqytetit izraelit.

Në ditën e 11 të konfliktit flitet për 3000 të vrarë mes palestinezëve dhe mbi 500 mijë njerëz të mbetur të pastrehë. Viktimat mes izraelitëve janë 1300.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share