Të ndaluarit nga policia spanjolle akuzohen se kishin varur një manekin që identifikohej me brazilianin
Ylli i Real Madridit Vinicius Junior ka shkaktuar reagime të forta në Spanjë dhe Brazil, për shkak të incidenteve me sfond racist ku ai ka qenë i përfshirë në javët e fundit.
Policia spanjolle informoi se kishte arrestuar katër persona në lidhje me një incident ku ishte i përfshirë ylli i Real Madridit, Vinicius Jr.
Të ndaluarit akuzohen se kanë varur në një urë në Janar një manekin që identifikohej me brazilianin.
Një hetim për një krim urrejtjeje u hap pasi një manekin me fanellën numër 20 të sulmuesit të krahut ishte varur në urën përpara qendrës stërvitore të “Los Blancos”, me pankartën “Madridi urren Realin”.
Lojtari 22 vjeçar ka shkaktuar reagime të forta në Spanjë dhe Brazil, për shkak të një incidenti rracor në takimin ndaj Valencias. Sulmuesi ka marrë mbështetjen e Real Madridit, ndërkohë që vajza e yllit të futbollit Pele, Kelly Cristina Nascimiento, shprehu zemërim për ngjarjen në stadiumin “Mestalla” të Valencias.
Në një video të postuar në Instagram, vajza e Pele tha se Spanja, La Liga dhe Real Madridi “duhet të kenë turp” për ngjarjet që ndodhën gjatë ndeshjes së së dielës.
Ajo u bëri thirrje organeve drejtuese të futbollit që të bashkohen dhe të marrin masa efektive dhe të ashpra kundër sulmeve raciste ndaj futbollistëve.
Edhe ministrja për barazinë racore në Brazil Aniel Franko shprehu mbështetjen për lojtarine Los Blancos e shtoi se është diçka e papranueshme që në 2023 të flitet ende për racizmin.
Klan News