4 bashkitë ku PD e BF “vranë” njëra-tjetrën

Në Mallakastër, Këlcyrë, Kuçovë e Finiq bashkimi i votave mund të sillte fitoren e së djathtës

Demokratët mund të kishin fituar edhe të paktën 4 bashki më shumë, nëse do të kishin bashkuar forcat.

Përçarja i dëmtoi veçanërisht në Mallakastër, Këlcyrë, Kuçovë e Finiq, ku nëse do të kishin dalë me një kandidat do të kishin fituar ndaj Partisë Socialiste, e cila në këto 4 njësi vendore ishte e vetmja konkurrente përballë.

Kështu në Kuçovë, nëse 6222 votave të marra nga Lefter Maliqi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do t’i shtoheshin edhe 739 votat e Ilirjan Koxhajt të Partisë Demokratike do të arrihej që me një diferencë prej 57 votash fitorja të kalonte djathtas.

Në Mallakastër, Agron Kapllanaj i Partisë Demokratike zyrtare mori 5789 vota, ndërsa Resmi Shanaj i “Bashkë Fitojmë” 735 vota. Nëse edhe këtu do të kishte një bashkim forcash, fitorja ndaj socialistëve do të ishte arritur me një diferencë prej 445 votash.

Në Finiq Leonidha Papa i Partisë Demokratike Zyrtare siguroi 1705 vota, por nëse do t’i shtoheshin edhe ato të Leonidha Hristos të koalicionit “Bashkë Fitojmë” prej 1911 do të ishte arritur një fitore me një diferencë prej 1344 votash ndaj kandidatit Romeo Çakuli të Minoritetit Etnik grek për të Ardhmen, i cili rezulton të jetë fitues në këtë bashki.

Këlcyra është një tjetër bashki, ku “Bashkë Fitojmë” dhe Partia Demokratike dëmtuan qartazi njëra tjetrën. Kështu nëse votat e Arjan Kasajt të “Bashkë Fitojmë” do t’i ishin bashkuar atyre të Adriatik Spahiut do të arrihej një fitore me 54 vota diferencë.

Por përtej llogaritjeve matematikore, bashkimi i forcave mund të kishte sjellë edhe frymë që do të ndikonte pozitivisht tek demokratët e bazës dhe mbështetësit e të djathtës, gjë që nuk u bë e mundur para zgjedhjeve.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë” mundi të sigurojë fitoren vetëm në 7 bashki të vendit, ndërsa Partia Demokratike zyrtare në asnjë bashki, ku pati kandidatë.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share