30 kandidatë shqiptarë, nga pothuajse secila parti politike, do të garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar të Zvicrës, që do të mbahen më 22 tetor.
Kështu është bërë e ditur në njoftimin që ka lëshuar Zyra e Kryeministrit, për takim që kryeministri Albin Kurti e ka pasur dje me disa prej tyre.
Ai ka përgëzuar ata për angazhimin e tyre publik e politik në Zvicër, duke e konsideruar atë si dëshmi të mirëintegrimit të shqiptarëve atje, por edhe si shumë të rëndësishëm për demokracinë.
Kurti ka folur me ta edhe për lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe rolin e potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe mërgatës në fushën e ekonomisë, edukimit dhe shëndetësisë.
“Ai i uroi të gjithë kandidatëve suksese në fushatën zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve. Në zgjedhje e 22 tetorit janë 30 kandidatë shqiptarë nga pothuajse secila parti politike që garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar. Ky është numri më i madh i kandidatëve shqiptarë në ndonjë palë zgjedhje”, thuhet në njoftim.