3 bullgarë akuzohen si spiunë rusë në Britani

Të arrestuar që në Shkurt për falsifikim dokumentesh

Gjykatat në Britaninë e Madhe kanë ngritur akuza për spiunazh në favor të Moskës, ndaj 3 shtetasve bullgarë.

Orlin Rusev, Bizer Xhambazov dhe Katrin Ivanova janë arrestuar që në Shkurt dhe prej atëherë janë mbajtur në paraburgim. Edhe pse nuk jepen detaje specifike për raste spiunazhi, për të cilat ata akuzohen, 3 bullgarët të moshave nga 31 në 45 vjeç akuzohen për përdorim të dokumenteve të falsifikuara për qëllime të jashtëligjshme.

Siç shkruajnë mediat britanike, gjatë kontrolleve në shtëpitë e tyre u gjetën dokumente identifikimi të shteteve të ndryshme, përveçse britanike e bullgare, edhe franceze, italiane, spanjolle, kroate, sllovene, greke apo çeke.

Dyshimet janë të forta se ata kanë shfrytëzuar funksionet e tyre si pronarë biznesesh apo përfaqësues të shoqatave të komunitetit bullgar për të qenë në kontakt me komunitetet ku jetonin e për të grumbulluar informacione të rëndësishme që ua dërgonin shërbimeve sekrete ruse.

Zyrtarët e anti-terrorit janë në gjendje alarmi që pas helmimit në vitin 2018 të ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij.

Tv Klan

Lexo gjithashtu
Total
0
Share