29 vjet operacioni “Stuhia” – Në Kroaci festë e fitores, në Serbi ditë përkujtimore

Para 29 viteve, më 04 Gusht 1995 nisi operacioni ushtarako-policor kroat I ashtuquajtur “Stuhia”. Në Kroaci kjo ditë shënohet si Dita e Fitores dhe falënderimit ndaj atdheut kurse në Serbi si ditë e dëbimit të serbëve.

Para 29 viteve, në orën 05.00 të mëngjesit Kroacia kishte nisur operacionin “Stuhia”.

Forcat kroate kishin nisur sulmin nga 30 drejtime në frontin e gjerë prej 600 kilometrave dhe vetëm për 84 orë ishte çliruar 1/5 e vendit.

Ditën e dytë u çlirua Knini, baza e rebelimit serb, kurse në mesditë në Kalanë e Kninit u valëvit flamuri kroat.

“Stuhia” dhe “Shkëlqimi” ishin dy operacionet që shënuan fitoren përfundimtare në luftën për liri dhe pavarësi të Kroacisë duke shënuar fundin e luftës në këtë vend.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë 200.000 ushtarë dhe policë, kurse 243 prej tyre humbën jetën kurse 1.430 ishin plagosur.

Por, në Serbi kjo ditë përkujtohet si ditë që ka shkaktuar dëbimin e më shumë se 250.000 serbëve, 1.700 prej tyre kanë humbur jetën kurse 700 konsiderohen të zhdukur.

Nga manifestimi qendror në Loznicë, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, u ka garantuar të pranishmëve se nuk do të ketë dëbime të serbëve.

“Atyre që ëndërrojnë për traktorë të rinj u them, se nuk do të ketë as traktorë, as dëbime të serbëve. Ju garantoj se President I Serbisë se kjo tashmë nuk do të ndodh”, tha Vuçiq.

Ndërkohë në Serbi, debate janë shfaqur pasi Lloznica u caktua si qyteti për manifestimin qendror.

Opozita dhe disa organizata civile e kanë quajtur provokim këtë vendim të qeverisë serbe, pasi në territorin e Lloznicës planifikohet të hapet një minierë litiumi, një temë që ka ndarë shoqërinë serbe dhe për këtë shkak në disa qytete mbahen edhe protesta.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share