27-vjeçarja indiane: Jam refuzuar nga dhjetëra meshkuj për shkak të pajës

Prej vitit 1961 paja e nuses është e paligjshme në Indi, por familja e saj duhet t’i dhurojë para, dhurata dhe bizhuteri familjes së dhëndrit.

Tani, një mësuese 27-vjeçare në qytetin Bhopal ka nisur një peticion ku i kërkon policisë të dërgojë efektivë nëpër dasma dhe të kryejë kontrolle për t’i dhënë fund kësaj “ligësie shoqërore”.

Gunjan Tiwari (pseudonim) i tha “BBC” se peticioni vjen nga përjetimi i saj personal pas refuzimit që ka marrë nga dhjetëra meshkuj për shkak të pajës. Më i fundit ndodhi në muajin Shkurt kur babai i saj kishte ftuar një djalë së bashku me familjen e tij me shpresën e bashkimit të dy të rinjve.

Pasi familjet kishin shkëmbyer përshëndetjet, Gunjan hyri në dhomën e ndenjes duke mbajtur një tabaka me çaj të nxehtë dhe qerasje për miqtë. Ajo e përshkruan momentin si “ sikletshëm”.

Të gjithë të shohin ngultas, të masin me sy”, tha ajo. Gunjan e njeh fare mirë këtë ritual, në këto vite e ka bërë plot 6 herë. Pyetjet ishin gjithashtu të ditura, cili ishte arsimi dhe puna e saj si dhe nëse mund të gatuante.

Përpara se të hynte në dhomë, ajo kishte dëgjuar prindërit e saj që pyesin familjen e djalit për pajën që prisnin. “Ne kishim dëgjuar që donin 5-6 milionë Rupi ($61,000 – $73,000). Kur im atë e pyeti, ai tha me shaka ‘nëse vajza jote është e bukur, do të të bëjmë ulje çmimi’,”shpjegon Gunjan.

Ndërsa biseda vazhdonte, Gunjan kuptoi se oferta nuk do të jepej, mysafirët e pyetën për dhëmbët e çrregullt dhe nishanin në ballë. Pas çajit, asaj iu lejua të fliste privatisht me dhëndrin dhe ajo i tha se nuk do të martohej për pajë.

Ai ra dakord se është një e keqe shoqërore”, kujton ajo, gjë që e bëri të mendonte se ishte ndryshe nga të tjerët që kishte njohur deri në atë moment. Por familja e saj mësoi se Gunjan ishte refuzuar.

Mamaja më fajësoi për qëndrimin tim kundër pajës. Ajo ishte e tërbuar dhe nuk më foli për dy javë”.

Në 6 vitet e shkuara, babai i Gunjan ka kontaktuar “familjet e 100-150 beqarëve potencialë” dhe ka takuar më shumë se dy duzina prej tyre. Gunjan është prezantuar përpara 6 personave. Thuajse të  gjithë, nuk kanë rënë dakord për shkak të pajës.

Për shkak të këtyre refuzimeve unë kam humbur vetëbesimin”, thotë mësuesja e cila ka një diplomë masteri në Matematikë dhe merr mësime online. Ajo thotë se dëshiron të martohet pasi “jeta është e gjatë dhe nuk do që ta kalojë e vetme”, por është e sigurt se nuk do të paguajë një pajë.

Por teksa ditët kalojnë, dëshpërimi i familjes së saj për të gjetur një bashkëshort për të, shtohet.

Sipas të afërmve të mi, një 25-vjeçare konsiderohet një grua e vjetër në tregun e martesës”. Për këtë arsye, babai i saj kontrollon njoftimet e martesës në gazetë dhe iu ka kërkuar të afërmve të mbajnë sytë dhe veshët hapur për të gjetur dikë. Ai i është bashkuar një grupi në WhatsApp me më shumë se 2000 anëtarë ku familjarët shpërndajnë rezymetë e fëmijëve të tyre.

Pjesa më e madhe duan një dasmë luksoze që të kushtojë 5 milionë Rupi ose më shumë. Babai im mund të përballojë veç gjysmën e kësaj”, thotë Gunjan duke shtuar se këmbëngulja e saj për t’u martuar pa pajë e ka vështirësuar jetën e prindërve.

Sipas një studimi të fundit, edhe pse dhënia e marrja e pajës është e ndaluar, 90% e martesave indiane e përfshijnë. Prindërit e vajzave shpesh marrin kredi ose shesin pasurinë për të plotësuar kushtin e pajës e cila jo domosdoshmërisht do të sigurojë një martesë të lumtur.

Sipas Byrosë Kombëtare të Krimeve, 35.493 nuse janë vrarë në vitet 2017-2022, mesatarisht 20 gra në  ditë, për sjelljen e një paje të vogël në familjen e dhëndrit./tvklan.al

Lexo gjithashtu
Total
0
Share