27 vite nga masakra e Srebrenicës

Plot 27 vite nga masakra e Sebrenicës. Mijëra njerëz pritet të ndjekin sot ceremonitë përkujtimore.

Ashtu si çdo vit, përvjetori shënohet nga një tubim masiv dhe dhjetëra funerale, pasi më shumë trupa identifikohen dhe u kthehen familjeve të tyre. Eshtrat e 50 viktimav, të gjetura së fundmi do të varrosen në Qendrën Përkujtimore Potoçari aty ku ndodhen varret e mbi 6,670 viktimave të tjera.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjes hynë në Srebrenicë dhe vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë. Vrasjet kanë ndodhur brenda pak ditësh, por procesi i gjetjes së trupave ka marrë vite dhe identifikimi dhe varrimi i eshtrave vazhdon ende.

Sipas Institutit të Personave të Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës, mbi 1,200 viktima të masakrës së Srebrenicës mbeten ende të zhdukura. Masakra e Srebrenicës, e cila ka ndodhur pesë muaj para përfundimit të luftës në Bosnje, është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës është njohur si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona janë dënuar me më shumë se 700 vite burg për rolet e tyre në masakër.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç, është dënuar me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiç.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share