25 vjetori i vrasjes së vëllezërve Bytyqi/ Kurti: Epoka e mosndëshkimit të krimeve të Serbisë duhet të marrë fund

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 25-vjetorin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi nga Serbia. Ai ka thënë se për këtë rast askush nuk është dënuar dhe se epoka e mosndëshkimit të krimeve që ka kryer Serbia duhet të marrë fund.

Vëllezërit Bytyqi kanë luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kanë qenë shtetas të SHBA-së. Ata janë vrarë në vitin 1999, pasi paraprakisht janë arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të, siç është thënë atëkohë, hyrjes së paligjshme në Serbi.

Trupat e pajetë të tyre janë gjetur në qershor të vitit 2001 në një varrezë masive në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë. Dy policë të akuzuar për ndihmë në likuidimin e vëllezërve Bytyqi, Sreten Popoviq dhe Millosh Stojanoviq, janë shpallur të pafajshëm me vendim të Gjykatës së Lartë në Beograd për krime lufte.

Gjykata ka thënë se nuk ka prova për përfshirjen e tyre në vrasjet e kryera në korrik të vitit 1999. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar në shkurt të vitit 2019 se vrasja e vëllezërve Bytyqi është një krim i rëndë dhe se Serbia po bën gjithçka që duhet për të hetuar rastin.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share