22 vjet ”Ohri” përmbyllet me ”Peace Festival”

KONCERTI ME YJE TË ESTRADËS, NXITI REAGIME TË SHUMTA

Të paktën 100 mijë euro ka kushtuar shënimi i përvjetorit të sivjetmë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Për shënimin e këtij përvjetori, Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive ka lidhur dy kontrata me kompaninë “Arbëria Design”, për organizimin e shkollës për lider të rinj dhe koncertit në sheshin Skëndërbeu në Çarshinë e Shkupit, percjell KlanM.

Në këtë mënyrë, “Arberia Design”, në bazë të marrëveshjes, mes tjerash, ka marrë 300 mijë denarë për koncept për organizimin e ngjarjes, 290 mijë denarë për poezi të një poeti me renome, aranzhman muzikor dhe audio incizim të një kënge me rastin e përvjetorit. Për videoklip për këngën do të ndahen rreth 4000 euro, ndërsa për video për nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit janë paraparë 6000 euro.

Megjithatë, në këtë shumë nuk është përfshirë edhe pagesa e këngëtarëve që ishin të ftuar në koncertin e mbrëmshëm. Bëhet fjalë për 7 këngëtarë shumë të njohur të estradës shqiptare, nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.

“E mrrekullueshme dhe e paharrueshme atmosfera që krijoi mbrëmë edicioni i dytë i Peace Festival në Sheshin Skenderbeu të mbushur përplot në Shkup!” – ka shkruar në Facebook, Zv/Kryeministri i Parë, Artan Grubi, duke shtuar se “Peace Festival” solli freskinë që i mungonte qytetit! Vazhdojmë me punë të sinqertë për të festuar të arriturat e rradhës në rrugëtimin europian të vendit!

Koncerti, sic njofton KlanM, nxiti edhe reagime të shumta negative të opinion, për shkak të përmbajtjes së teksteve të këngëve që kanë një pjesë e këngëtarëve që ishin të ftuar mbrëmë, duke cilësuar se nuk përputhet me frymën e kësaj date.

Kryetari i Komunës së Kërçovës nga radhët e BDI-së, Fatmir Dehari, me rastin e shënimit të kësaj date i vizitoi varrezat e dëshmorëve në Tetovë, prej ku edhe ka ironizuar me koncertin.

“Gëzuar këtë datë të rëndësishme historike që në themelet e sajë ka gjak lirie e tri shkronja lavdie – UÇK. Më falni, Sot nuk pritëm as ambasadorë, as ushtarë, as politikanë, as anëtarë e as opozitarë! Nuk e di pse? Po, paska koncert hip hopash, atje mund të presin, nderojnë e lidhin marrëveshjet” – tha Fatmir Dehari.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe ish deputeti Abedin Zymberi.

“A ka dikush me m’tregu se Koncerti i organizuar në Shkup çfarë përmbajtje pati, çfarë mesazhi u përcoll nga aj koncert, me çfarë vlera kulturore dhe kombëtare janë këngëtarët?” – tha Abedin Zymberi, ish deputet.

Por, reagime të shumta ka pasur edhe nga qytetarët dhe aktivistë. /KlanMacedonia/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share