14 Maji sipas gazetares bullgare me shqipe “të kulluar”

Magdalena Dimitrova: Organizimi i zgjedhjeve në mënyrë perfekte

Kjo është Magdalena Dimitrova, që për ditë me radhë ndoqi me interes procesin zgjedhor në Shqipëri. Ajo vjen nga Bullgaria, ku prej vitesh ushtron profesionin e gazetares në Agjencinë Telegrafike Bullgare.

Magdalena nuk e ka të vështirë të marrë rezultatet e fundit në KQZ, pasi e lexon dhe e flet shumë mirë gjuhën shqipe, pavarësisht se nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë.

“E kam mësuar në Universitetin e Sofies. Në degën e ballkanistikës mësohen 4 gjuhë bashkë, mes tyre dhe shqipja”, tha Dimitrova.

Tashmë që e ka ndjekur të gjithë procesin zgjedhor në Shqipëri, e ka më të lehtë të bëjë dallimin me zhvillimin e zgjedhjeve në vendin e saj.

“Dallimi kryesor është se zgjedhjet në Bullgari mbarojnë brenda një dite, deri në orën 10, ose 11 rezultati është gati. Është hera e parë që po pres edhe një ditë që të mund të marr rezultatin përfundimtar. Ishte pak e çuditshme për mua, por kuptoj që ka procedura që marrin pak kohë”.

Gjithsesi, në këtë proces ka diçka që i ka lënë shije të mirë.

“Më ka bërë përshtypje organizimi i zgjedhjeve, gjithçka ka shkuar perfekt. Interesi i Agjencisë është të transmetojë lajme nga Shqipëria në Bullgari sepse ka interes”.

Ndër të tjera, Magdalena tregon se në vendin e saj ka një interes të shtuar për zhvillimet në Shqipëri.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share