Misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, ka njoftuar se aktualisht 105 zyrtarë policorë nga Polonia janë duke patrulluar në veri të Kosovës, pak ditë para skadimit të afatit për riregjistrim të targave të automjeteve në RKS.
EULEX ka konfirmuar se më 31 korrik të këtij viti ka vërejtur një prani të konsiderueshme dhe shqetësuese, që ishin të armatosur në barrikadat e ngritura në Kosovën veriore. Si reagim, EULEX-i thotë se bëri shtim të patrullimeve të vëzhgimit në Kosovën veriore dhe demanton se aktualisht ka prani të ngjashme si të 31 korrikut.
“Fatmirësisht [EULEX] nuk ka hasur në ndonjë prani të ngjashme që nga ajo kohë”, thuhet në një përgjigje të EULEX-it për Gazetën Express.
Derisa kanë mbetur edhe pak ditë për vendimin për riregjistrimin e automjeteve të qytetarëve serbë në RKS, frika është rritur se tensionet mund të ngrihen si herën e fundit.
Për këtë EULEX-i thotë se po kryen patrullime në veri dhe se ka monitoruar për së afërmi të gjitha zhvillimet që mund të kenë ndikim mbi sigurinë e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë.
“Njësia jonë Policore e Specializuar, e cila përbëhet prej 105 zyrtarëve policorë nga Polonia, është duke kryer patrullime të përditshme të vëzhgimit në Kosovën veriore për të kuptuar më mirë situatën”.
“Si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, EULEX-i ka bashkërendim të ngushtë si me Policinë e Kosovës ashtu edhe me KFOR-in, përkatësisht reaguesin e parë dhe të tretë të sigurisë në Kosovë. Nëse kërkohet nga Policia e Kosovës, EULEX-i qëndron i gatshëm të veprojë me vendosmëri si reagues i dytë i sigurisë për uljen e tensioneve dhe mbrojtjen e të gjithëve nga çdo kërcënim – pa marrë parasysh përkatësinë etnike, moshën apo gjininë”.
“Forca e Reagimit të Shpejtë” e EULEX-it është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë dhe ka kohë reagimi shumë të shkurtë.
Nëse është e nevojshme, Misioni thotë se është i gatshëm që të zbarkojë edhe një Njësi Policore të Specializuar Rezervë për të shtuar forcat në terren dhe kapacitetin operacional.
“Për të testuar gatishmërinë operacionale dhe për të siguruar bashkërendimin e ngushtë të të gjithë reaguesve të sigurisë, EULEX-i, KFOR-i dhe Policia e Kosovës rregullisht kryejnë ushtrime të përbashkëta. Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe ne do të bëjmë atë që është e nevojshme dhe çdo gjë që nevojitet për të mbështetur stabilitetin e Kosovës dhe për të kontribuar në sigurinë e popullatës së saj”, thuhet në përgjigjen e EULEX.