2 mld Euro llogaritet dëmi material nga përmbytjet
Ka shkuar në 10 numri i të vdekurve nga stuhia vdekjeprurëse “Daniels” që për 3 ditë me radhë goditi Greqinë qendrore. Sipas ministrit të Mbrojtjes Civile, Vasilis Kikilias, krahas numrit të konfirmuar të viktimave, katër persona rezultojnë ende të zhdukur.
Në zonën e Larisës dhe Volosit operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë ende. Punonjësit e ekipeve të emergjencës janë në luftë me kohën për të larguar banorët e shumtë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre mes ujërave. Në fshatrat përgjatë lumit Pinios, ndërtesat veçanërisht ato një-katëshe janë nën ujë.
Guvernatori i Thesalisë Kostas Agorastos tha se prej të Martës, të paktën 1800 persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre. Përllogaritet një sipërfaqe e jashtëzakonshme deri në 750 mijë hektarë tokë e përmbytur, siç dallohet edhe në këtë hartë. Ndërsa dëmet materiale mund të arrijnë në më shumë se 2 miliardë euro.
Tv Klan