“Çdo seancë është anuluar me arsyetime se mungon gjyqtari – se është i sëmurë, e sëmurë na del edhe drejtoresha e falimentimit, të gjithë të sëmurë… nëse janë të sëmurë, le të sjellin njerëz që janë të shëndoshë dhe që do të punojnë. A do të heshtte dikush që nuk ka marrë rrogë që dhjetë muaj…”, ankohen punëtorët
Urim HASIPI
Tetovë, 9 prill – Mbi 40 punëtorë të shtypshkronjës “Napredok” që dhjetë muaj nuk kanë marrë rroga. Punëtorët e kësaj shtypshkronje thonë se procesi i falimentimit të ndërmarrjes ka filluar vitin 2024, ndërsa prej atëherë e këndej nuk kanë asnjë informatë kthyese. Sipas punëtorëve, ata kanë mbetur në rrugë pasi pronari i shtypshkronjës i ka dhënë të gjitha objektet me qira ku kanë punuar mbi 40 vite. Problem në vete është se deri më tani, në Gjykatën e Tetovës nuk është mbajtur asnjë seancë. Behixhe Sejdia, një nga punëtoret e kësaj shtypshkronje, thotë se pas 45 vitesh në punë, ka mbetur në rrugë.
“Pronari na ka borxh dhjetë rroga. Procedura është në gjyq prej në muajin janar të vitit 2024. Deri tash nuk kemi asgjë, në gjyq anulohen seancat. Udhëheqësja e procedurës falimentuese është nga Velesi dhe nuk e kemi parë aspak, sepse shteti e ka caktuar atë. Nuk është paraqitur dhe duhet që të na përkrah neve. Pastaj na kanë dhënë edhe pushim kolektiv të gjithëve, kurse më pas na kanë dhënë vërtetime se jemi në punë çdo muaj, kurse ne ishim në shtëpi”, tha Behixhe Sejdia.
Gjatë protestës të mërkurën, punëtorët kanë kërkuar ndihmë nga shteti, respektivisht nga Ministria e Drejtësisë dhe kryeministri që të merret me problemin e tyre. Në mesin e atyre që kanë punuar gjatë kohë në këtë shtypshkronjë është edhe Zhivka Dimovska. Ajo është shprehur se udhëheqësja e procedurës së falimentimit duhet të komunikojë me punëtorët dhe t’i informojë, por ajo nuk komunikon.
“As që e kemi parë se kush është, në asnjë seancë nuk është paraqitur, të paktën njëherë të na kishin pyetur, të paktën t’i kishim treguar hallet tona. Çdo seancë është anuluar me arsyetime se mungon gjyqtari – se është i sëmurë, e sëmurë na del edhe drejtoresha e falimentimit, të gjithë të sëmurë… nëse janë të sëmurë, le të sjellin njerëz që janë të shëndoshë dhe që do të punojnë. A do të heshtte dikush që nuk ka marrë rrogë që dhjetë muaj. Ne gjatë kohë kemi heshtur dhe ky është një apel deri tek ministri i Drejtësisë dhe kryeministri Mickoski, sepse ky është fillimi dhe nuk do të heshtim. Ne nuk kërkojmë asgjë, vetëm rrogat të cilët i meritojmë”, tha Zhivka Dimovska, ish e punësuar në shtypshkronjën “Napredok”.
Punëtorët thonë se pas 40 vitesh punë, kanë mbetur rrugëve dhe se nuk mund të gjejnë punë tjetër. Shtypshkronja “Napredok” është themeluar në vitin 1948. Në vitin 2006, shtypshkronjën e mori shtëpia botuese “Prosvetno Dello”, e cila tani ka vendosur ta likuidojë pa dhënë shpjegime përse.