Zyrtare: Kosova aktualisht nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës

Ndërkohë që mbështetja e deklaruar nga shtetet e fuqishme vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, është e qartë se rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës do të jetë më e gjatë dhe më komplekse se sa është parashikuar fillimisht.

Këtë e bëjnë të qartë zhvillimet e fundit nga agjenda e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që do të mblidhet të premten.

Zyrtarja për informim në Këshillin e Evropës, Estelle Steiner, ka konfirmuar për Telegrafin se aplikimi i Kosovës nuk do të figurojë në diskutimet e radhës të këtij komiteti.

“Kosova tani nuk është në agjendën e mbledhjes së Komitetit të Ministrave”, ka thënë Steiner.

Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.

Agjenda do të përfshijë masat që Këshilli i Evropës po vazhdon të marrë në përgjigje të agresionit të plotë të Federatës Ruse kundër Ukrainës, zbatimin e Deklaratës së Rejkjavikut (miratuar në Samitin e Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive në 2023) dhe miratimin të një Konvente Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit.

Sipas agjendës, po ashtu ministrat do të shqyrtojnë punën e Organizatës në fusha të tilla si të drejtat e njeriut, duke përfshirë të drejtat sociale dhe të drejtat e fëmijëve, demokracinë, sundimin e ligjit, luftën kundër dënimit me vdekje, arsimin dhe kulturën, pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të rinjve, të drejtat e njeriut në epokën dixhitale, migrimin dhe trafikimin e qenieve njerëzore, mbrojtjen e gazetarëve dhe masat për të luftuar dezinformimin, antidiskriminimin dhe përfshirjen, barazinë gjinore dhe mjedisin.

Ata do të diskutojnë gjithashtu bashkëpunimin midis Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian.

Në fund të seancës ministrore, Lihtenshtajni do t’i dorëzojë Lituanisë presidencën e Komitetit të Ministrave.

Lidhur me këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, nuk duhet të përzihet me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE).

Nëse përzihen, tha Kurti, dëm do t’i shkaktohej edhe dialogut për normalizimin e marrëdhënieve që zhvillohet në Bruksel, edhe Këshillit të Evropës si “institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”.

Sipas një deklarate që lëshoi zyra e tij, Kurti i bëri këto komente në një takim me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it: SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.

“Kryeministri kujtoi se normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë zhvillohet në Bruksel dhe jo në Strasburg” dhe se “procesi i anëtarësimit në Këshill të Evropës është çështje e respektimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit – vlera këto që Republika e Kosovës i përqafon”, thuhet në deklaratën për media.

Kosova aplikoi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë gati dy vjet më parë – më 12 maj, 2022.

Më 27 mars të këtij viti, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Bakoyyanis, e cila tha se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar me të drejta të plota i organizatës, ndërsa Asociacionin e konsideroi si çështje të brendshme të Kosovës.

Më pas, më 16 prill, raporti i Bakoyyanisit kaloi edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ndërsa vendimin përfundimtar do ta marrë Komiteti i Ministrave, saktësisht një muaj më vonë.

I përbërë prej 46 shtetesh anëtare, 27 prej të cilave anëtare të Bashkimit Evropian, Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut.

Serbia njoftoi së voni se ka ngritur një grup punues për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Kjo, përkundër marrëveshjes që ajo ka me Kosovën, për të mos e kundërshtuar anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share