Sot do të zhvillohen ndeshjet e fundit të fazës së grupeve të Kampionatit Botëror “Katar 2022”, ku do të mësojmë katër kombëtaret që do të sigurojnë kualifikimin tutje nga Grupi H dhe G.
Dy ndeshje të programit të sotëm zhvillohen me fillim nga ora 16:00, ku Uruguai do të kërkojë me çdo kusht fitoren kundër Ganës, ndërsa Portugalia synon ta evitojë befasinë kundër Koresë së Jugut.
Ndërkaq, me fillim nga ora 20:00 do të zhvillohen dy ndeshjet e mbetura të ditës së sotme, ku e gjithë vëmendja do të jetë te përballja mes Serbisë e Zvicrës, ku te kjo e fundit gjenden yjet me prejardhje shqiptare si Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.
Po ashtu, ndeshje sot zhvillon edhe Kombëtarja e Brazilit, e cila do të përballet me atë të Kamerunit.
Programin e plotë të ndeshjeve të sotme në Kampionatin Botëror e gjeni më poshtë.
16:00 Gana – Uruguai
16:00 Koreja e Jugut – Portugalia
20:00 Kameruni – Brazili
20:00 Serbia – Zvicra