Zvicra do të lejojë ngasjen e automatizuar të automjeteve nga muaji mars

Gjenevë

Zyra Federale e Rrugëve e Zvicrës ka njoftuar se ngasja e automatizuar e automjeteve do të lejohet në disa zona të vendit duke filluar nga marsi i vitit të ardhshëm, transmeton Anadolu.

Rregulloret e reja, që hyjnë në fuqi më 1 mars, do t’u mundësojnë drejtuesve të automjeteve të lëshojnë timonin dhe të përdorin autopilotin në autostrada, me kusht që të mbeten të gatshëm të marrin kontrollin nëse kjo kërkohet nga sistemi, tha autoriteti në një njoftim.

Përdorimi i autopilotit do të lejohet gjithashtu në rrugë të tjera të miratuara zyrtarisht, megjithëse rrugët specifike ku mund të aktivizohet do të përcaktohen nga kantonet individuale të Zvicrës.

Sipas rregullave të reja, automjetet pa shofer duhet të monitorohen nga një operator i qendrës së kontrollit, i cili mund të ndërhyjë nëse sistemi has një sfidë që nuk mund ta zgjidhë në mënyrë të pavarur.

“Përdorimi i automjeteve pa shofer mund të jetë veçanërisht tërheqës për transportin e mallrave dhe për mbulimin e ‘miljes së fundit’ në transportin e pasagjerëve”, thuhet në deklaratën e zyrës.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se automjetet me sisteme automatizimi kërkojnë miratime specifike, ndërsa prodhuesit duhet të dëshmojnë se sistemet e tyre garantojnë siguri rrugore dhe rrjedhë të qetë të trafikut.

Parkimi i automatizuar do të lejohet gjithashtu nga 1 marsi, por vetëm në zonat e parkimit të përcaktuara dhe të shënuara qartë, të përcaktuara nga kantonet ose komunat.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share