Për të tretën herë pas kthimit të lëndës për rigjykim, është anuluar seanca gjyqësore për rastin e spitalit modular, këtë herë për shkak të mungesës së gjykatësit Jordan Vellkoski.
Ish-drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florim Besimi, ka shprehur shpresën se Gjykata Themelore do të marrë në konsideratë vendimet e Gjykatës së Apelit, e cila ka kthyer çështjen për rigjykim. Sipas tij, ky veprim i Apelit përbën një mundësi që të bëhet drejtësi.
Një nga familjarët e viktimave, Mumin Ismaili, ka deklaruar se stërzgjatja e këtij procesi është në dëm të tyre. Ai theksoi se çdo seancë e anuluar i rikthen dhimbjet dhe kujtimet e hidhura për humbjen e të afërmve.
Ngjarja tragjike në spitalin modular të Tetovës ndodhi më 8 shtator 2021, ku zjarri mori jetën e 14 viktimave, shumica e të cilëve ishin pacientë që po trajtoheshin për COVID-19. Gjatë gjykimit të parë, Gjykata Themelore në Tetovë dënoi me kusht Artan Etemin dhe Florim Besimin, ndërsa liroi nga akuzat Boban Vucevskin. Spitali i Tetovës u gjobit me një shumë të hollash. Megjithatë, pas ankesave, Gjykata e Apelit e ktheu çështjen për rigjykim dhe hodhi poshtë vendimin e shkallës së parë. Pavarësisht kësaj, rigjykimi ende nuk ka filluar, duke shkaktuar frustrim dhe shqetësim te familjarët e viktimave, të cilët kërkojnë drejtësi për të dashurit e tyre. Vlen të theksohet që përveç mungesës së gjykatësit në dy seancat e fundit kanë munguar edhe përfaqësues nga Spitali Klinik i Tetovës.