Gjykatësi i lëndës për zjarrin në spitalin modular në Tetovë, Jordan Vellkovski, ende nuk është shëruar. Kjo ishte arsyeja për anulimin e fillimit të rigjykimit në Gjykatën Themelore të Tetovës, informon Klan Macedonia.
Në seancë ishin të pranishëm disa nga avokatët e të akuzuarve dhe të familjarëve, ndërsa seanca e parë e rigjykimit është caktuar për më 18 mars, me fillim në ora 10:00.
Ish-drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Florin Besimi, një nga të akuzuarit për zjarrin në spitalin modular, pas anulimit të seancës shprehu shqetësimin për zvarritjen e procesit. Ai kërkoi që gjykata të marrë parasysh rekomandimet dhe vendimet e gjykatës më të lartë.
“Fatkeqësisht, përfundimi i procesit gjyqësor po vonohet. Dëshira ime është që ky proces të përfundojë sa më parë, që të vijë në shprehje fjala e fundit e drejtësisë. Nga rigjykimi pres që gjykata të marrë parasysh rekomandimet dhe vendimet e gjykatës më të lartë,” tha Besimi.
Zjarri në Spitalin Modular të Tetovës ndodhi më 8 shtator 2021, ku humbën jetën 14 persona, shumica pacientë që trajtoheshin për COVID-19, përfshirë edhe personel mjekësor.
Rigjykimi duhet të vazhdojë ndaj dy personave fizikë, ish-drejtorit Florin Besimi dhe ish-drejtorit ekonomik Artan Etemi, si dhe Spitalit Klinik të Tetovës. Mjeku Boban Vuçevski, i cili ishte përgjegjës për qendrën COVID-19 në Tetovë në kohën e tragjedisë, nuk përfshihet në këtë rigjykim.
Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Apelit në Gostivar e ktheu çështjen për rigjykim, duke argumentuar se aktgjykimi i parë ishte i paqartë dhe se Gjykata e Tetovës nuk kishte vepruar me kujdesin e duhur, duke bërë që vendimi të ishte i papërshtatshëm për shqyrtim. /tvklan.mk