Dhjetë persona, përfshirë pesë fëmijë të moshës nga tre deri në 15 vjeç, kanë humbur jetën në një zjarr pranë qytetit francez të Lionit.
Fqinjët raportuan se kishin dëgjuar “ulërima tmerri” dhe dëshmuan se një nga banorët e hodhi fëmijën e saj nga ndërtesa te njerëzit poshtë përpara se të hidhej për vdekje, raporton “SkyNews”.
Zjarri shpërtheu në një bllok banimi shtatëkatësh në Vaulx-en-Velin në orët e para të së premtes, sipas ministrit të brendshëm, Gerald Darmanin, transmeton Klankosova.tv.
Rreth 180 zjarrfikës morën pjesë dhe u vendos një kordon sigurie.
Një fotografi e skenës u postua në mediat sociale nga delegati i ministrit për qytetet dhe strehimin, Olivier Klein.
Shkaku i zjarrit nuk dihet në këtë fazë, tha ai.
“Ka disa skenarë dhe do të hapet një hetim”, tha Darmanin, duke shtuar se ishte në kontakt me presidentin Emmanuel Macron për tragjedinë.
“U dërgoj ngushëllimet e mia familjeve dhe të dashurve të viktimave”, vazhdoi ai.
Një banor, Mohamed, tha për mediat lokale: “Dëgjova zërin e grave dhe fëmijëve që bërtisnin”.
“E zgjova gruan time, i thashë: ‘Ka diçka serioze’”.
Fqinji, Assed, tha: “Ishte e tmerrshme. Isha vërtet i tronditur. Isha dëshmitar i një gruaje që… ua hodhi fëmijën njerëzve. Ata arritën ta kapnin. Ajo më pas u përpoq të hidhej, por shkoi keq. Ajo vdiq”.
Rida, një tjetër banore, tha: “Fëmijës tim, i thash të mos shkojë në shkollë, është i tronditur, u traumatizua kur dëgjoi britma të tilla, britma tmerri. Më dridhen këmbët”. /Klankosova.tv