NJTKZ-të MBULOJNË TERRITORE SHUMË TË MËDHA PËR KAPACITET QË KANË
Mungesa e stafit, territori i madh që mbulon një njësit i zjarrfikësve dhe distanca, janë disa nga problemet me të cilët ballafaqohen zjarrfikësit. Komandanti i zjarrfikësve në Tetovë, Uka Aliti tha gjatë emisionit Klan Debat se, kjo njësi e zjarrfikësve mbulon afër 300.000 banorë dhe ka mungesë të stafit sepse mbulojnë territor të madh, i cili përfshin edhe komunat rurale të Tetovës, raporton KlanMacedonia.
“Për momentin në njësinë territoriale kundër zjarrit në Tetovë jemi 75 persona, 10 deri në 15 gjithmonë janë në mungesë sepse shkojnë në pushime të rregullta, pushime mjekësore, pra gjithmonë kemi pasur mungesë të punonjësve” – tha Uka Aliti, komandant i zjarrfikësve-Tetovë.
Edhe Jusuf Bajrami nga njësiti i zjarrfikësve të Gostivarit tha se, problemi kryesor që kanë është distanca, pasi është njësia e zjarrfikësve që mbulon territor më të madh dhe pikën më të largët e kanë 56 kilometra ku nuk mund të mbërrijnë në kohë.
“Me njësinë zjarrfikëse të Dibrës ne kufizohemi. Është pika më e largët 56 kilometra ku nuk mund të arrish edhe po të duash nuk mund të arrish në kohë, qoftë për zjarr po për ndeshje në komunikacion” – tha Jusuf Bajrami, njësiti i zjarrfikësve të Gostivarit.
Ndërkohë, Artan Demiri nga Shoqata Vullnetare e Zjarrfikësve “Bajram Miftari” në Çair, tha se kanë mbi 300 pjesëtarë të regjistruar, 175 anëtarë janë të pajisur me certifikata për zjarrfikës vullnetarë në rast nevoje.
“Kemi 5 zjarrfikës profesional që janë të punësuar në brigadën e Qytetit të Shkupit, varet si i kanë ndërrimet sepse, nuk mund t’i heqim prej ndërrimeve, ashtu është marrëveshja. Prej 10-15 mund të bëhen zjarrfikës” – deklaroi Artan Demiri, SHVZ ”Bajram Miftari” Çair.
Ai shtoi se kanë asistuar në shumë vende, rasti i fundit ka qenë në Tetovë, por kanë intervenuar edhe në Hasanbeg, Llaskarcë dhe shumë vende tjera ku ka pasur nevojë. /KlanMacedonia/