ZHVILLIMET NË RRIPIN E GAZËS
Negociatorët për një armëpushim në Gaza janë rikthyer sërish në Katar për të rinisur bisedimet.
Ato do të shënojnë herën e parë që zyrtarët izraelitë dhe udhëheqësit e Hamasit i bashkohen negociatave indirekte që nga fillimi i muajit të shenjtë mysliman të Ramazanit.
Hamasi u dha ndërmjetësuesve një propozim të ri për një plan me tre faza. Faza e parë do të ishte një armëpushim gjashtëjavor që do të shihte lirimin e 35 pengjeve – grave, atyre që janë të sëmurë dhe të moshuar në këmbim të 350 të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Hamasi do të lirojë gjithashtu të paktën pesë ushtarë femra në këmbim të 50 të burgosurve dhe forcat izraelite do të tërhiqen nga dy rrugët kryesore në Gaza, do të lejojnë palestinezët e zhvendosur të kthehen në Gazën veriore, dhe do të lejojnë rrjedhjen e lirë të ndihmave në zonë. Në fazën e dytë, të dy palët do të shpallin një armëpushim të përhershëm dhe Hamasi do të lironte ushtarët e mbetur izraelitë të mbajtur peng në këmbim të më shumë të burgosurve.
Në fazën e tretë, grupi militant do të dorëzojë trupat që ka në këmbim që Izraeli të heqë bllokadën e Gazës dhe të lejojë fillimin e rindërtimit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e quajti propozimin “jorealist”, por ra dakord të dërgonte negociatorë izraelitë në Katar.
Mijëra njerëz demonstruan të shtunën në mbrëmje në Tel Aviv teksa kërkuan një marrëveshje për lirimin e pengjeve. Disa shprehën mbështetje për kritikat e mprehta të liderit të shumicës së Senatit të SHBA, Chuck Schumer për trajtimin e luftës nga Netanyahu dhe thirrjen e tij për zgjedhje të reja.
Gjatë kësaj jave zyra e Netanyahut tha se ai kishte miratuar një plan sulmi në Rafah, ku më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës janë strehuar dhe se popullsia civile do të evakuohej. Nuk dha asnjë kornizë kohore dhe nuk kishte asnjë shenjë të përgatitjeve të afërta në terren.
Agjencia kryesore e ndihmës e OKB-së që operon në Gaza ka bërë të ditur se kequshqyerja akute po përshpejtohej në veri të enklavës palestineze. Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Izraelit të bëjë më shumë për të lejuar ndihmën, me OKB-në që po përballet me mbylljen e kalimeve, verifikimin e ashpër në kufi dhe trazirat brenda Gazës. /tvklan.mk/