Mendime të ndara, ndasi dhe përçarje në udhëheqësinë e ASH-së, rreth vendimit se si duhet të veprojë partia në zgjedhjet e ardhshme, shkruan tvklan.mk.
“Beteja” kryesisht zhvillohet nëpër rrjetet sociale.
Kreu i ASH-së, Arben Taravari, kërkoi mbështetjen e partisë që t`i bashkangjiten frontit opozitar shqiptar.
Por, gjatë një deklarate për mediat, Taravari pohoi se ky vendim është personal dhe nëse Kuvendi Qendror i ASH-së, vendos ndryshe do ta respektojë atë vendim.
Tashmë, siç përcjell tvklan.mk, nëpër rrjetet sociale publikohen informacione nga më të ndryshmet rreth grumbullimet të nënshkrimeve nga kuvendarët që duhet të prononcohen rreth vendimit për paraqitjen e ASH-së në zgjedhje. Kuvendi i ASH-së numëron 135 anëtarë.
Pas njoftimit në Facebook të Taravarit që t`i bashkëngjitet opozitës shqiptare, një pjesë e deputetëve nisën ta shpërndajnë këtë postim, por Krenar Lloga si Sekretar i Përgjithshëm i ASH-së, njoftoi se organet partiake tashmë kanë votuar që ASH-ja në zgjedhje të paraqitet e vetme.
Nga ana tjetër, si Kryetar i Kuvendit Qendror, Ziadin Sela përgënjeshtroi se ka një ofertë për koalicion nga parti të tjera.
Qëndrimet diametralisht të kundërta të krerëve të ASH-së janë reflektuar edhe në postimet nëpër rrjetet sociale të deputetëve të Aleancës.
Deputetët Elmi Aziri, Artina Qazimi dhe Ilire Dauti mbështesin Ziadin Selën kurse Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu dhe Deputeti Halil Snopçe janë në një vijë me Taravarin.
Por, siç duket, zhvillimet e fundit në ASH janë mirëpritur nga liderë të opozitës shqiptare. Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti, duke shpërndarë një fotografi nga takimi i përbashkët në Prishtinë me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, nëpër rrjete sociale shkruajnë se “Fryma e unitetit do ta sjellin fitoren e shumëpritur”./tvklan.mk