BANORËT: KEMI FRIKË PËR FËMIJËT QË SHKOJNË NË SHKOLLË PASI ARINJTË DALIN NATËN DHE DITËN
Pamja që po shihni nuk është vjedhje nga njerëzit por nga ariu. Ariu pasi ka thyer derën e hyrjes ka kontrolluar të gjithë kuzhinën për të kërkuar ushqim. Fatmirësisht pronari i kësaj shtëpie është në mërgim dhe në atë kohë nuk ka pasur njerëz aty.
E këto janë disa pamje tjera të cilat janë filmuar nga vetë banorët e fshatit Zhirovnicë të Komunës Mavrovë – Rostushë.
Arinjtë thuajse shëtisin lirshëm në fshatin Zhirovnicë. Banorët thonë se ky fenomen nuk ndodhe vetëm gjatë mbrëmjes por edhe gjatë orëve të mëngjesit kur edhe fëmijët shkojnë në shkollë dhe kjo është bërë shqetësim për banorët.
“Problemi me ariun është alarmante në Zhirovnicë, edhe pse janë njoftuar institucionet problemi mbetet i pa zgjidhur. Është problem serioz dhe i frikshëm, janë bërë dëme të mëdha materiale edhe ndaj blegtorëve dhe shtëpive private. Shpresojmë që mos të kemi edhe sulme ndaj njerëzve e sidomos ndaj fëmijëve të cilët shkojnë në shkollë në orët e mëngjesit pasi edhe në mëngjes ariu është parë të lëviz në fshat” – tha Ardian Saliu.
Banoret apelojnë tek të gjithë institucionet në vend që të ndihmojnë në zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkohë, vetëm tek një blegtor të fshatit Zhirovnicë, pas sulmit në kope të deleve, ariu i ka mbytur 10 dele.
Kryetari i Komunës Mavrovë dhe Rostoshë, Medat Kurtovski për Klan M thotë se problemi me arinjtë që kanë banorët e fshatrave të kësaj komunë është alarmant. Arinjtë hyjnë edhe në zonat e banuara dhe shkaktojnë dëme në pronën dhe bagëtinë e banorëve.
“Edhe komuna edhe Parku Kombëtar disa herë i janë drejtuar institucioneve kompetente, por deri më tani nuk ka asnjë masë që do ta zgjidhte këtë problem. Sot kemi dorëzuar informacion deri tek qeveria dhe nesër do të kemi takim me Ministrin e Mjedisit” – tha Medat Kurtovski.
Para disa ditëve në fshatin Zhirovnicë ariu kishte hyrë në oborin e ish-deputetit, Latif Pajkoski. Ai përmes rrjeteve sociale kishte theksuar se nuk u mbetet asgjë tjetër vetëm që të vetorganizohen për t`u mbrojtur nga arinjtë. Ai kishte aluduar në ligjin që mbron arinjtë nga vrasja.
Por, rastet e fundit në Zhirovnicë duket se po ndezin “alarmin” për reagimin e isntitucioneve. /KlanMacedonia/