Kritikat e tij për Europën edhe pse tani pas çeljes së negociatave vijnë më të moderuara, Edi Rama vijon t’i shprehë në çdo format ndërkombëtar ku ftohet të flasë. Të njëjtën gjë ka bërë dhe në forumin europian Alpbach, i cili po zhvillohet në Austri dhe organizohet nga portali i njohur Politiko.
I pyetur për këndvështrimin e tij mbi Zgjimin Gjeopolitik të BE në mënyrë të veçantë pas ndërhyrjes ruse në Ukrainë, Kryeministri shqiptar nuk ka vlerësime maksimale për mënyrën se si po reagon unioni e ndryshe mendon për SHBA.
“Mënyra sesi unë i kuptoj gjërat është se kjo luftë po sfidon vetë themelet e shoqërive tona në anën perëndimore dhe në fund, mendoj se çështja e vërtetë nuk ka të bëjë me se sa të zgjon lufta sepse bombat të zgjojnë zakonisht, nuk mund të flesh, por sesa rezistent mund të jetë Perëndimi.
Nuk e shoh Europën të ndryshojë në asnjë lloj mënyre. Në rregull, më shumë solidaritet, më shumë ndjesi përbashkësie, më shumë takime, por Europa është e mirë për të bërë më shumë takime, nuk ka problem aty. Çështja është se si vetë Europa po ndryshon dhe nuk duket sikur po ndryshon në asnjë farë mënyrë. Është më së tepërmi një lloj inercie midis një lufte ku nga njëra anë janë ruset, nga ana tjetër është Ukraina dhe amerikanët që po japin një mbështetje shumë të madhe dhe Europa që po bashkohet me këtë mbështetje aq sa mundet çdo vend, por nuk është diçka e tillë si Europa, këtu ka vende të ndryshme me një qëndrim të përbashkët”.
Madje Rama mendon se ndihma konkrete e atyre që cilëson si faktorë të tretë në Ballkan ka qenë edhe më e madhe se vetë BE në periudha krizash siç ishte pandemia.
“Po kur diskutojmë që strategjinë, flasim për aktorë të tretë, të cilët nuk duhet të lejohen të hyjnë në Ballkanin Perëndimor, po kur vjen fjala për një çështje jete a vdekje është Kina që shpëton mjaft jetë në Ballkanin Perëndimor, është Rusia dhe është Turqia. Pa presidentin e Turqisë nuk do të kishim pasur vaksinat”.
Kosovën e sheh si shembullin tipik ku BE ndryshe së çfarë thotë bën me vepra duke mbajtur peng qytetarët e saj që janë të vetmit që nuk mund të lëvizin lirisht në zonën Shengen.
“Ndërkohë që ka pasur liberalizim të vizave për dhjetëra e miliona njerëz – për shembull, Ukrainën, Gjeorgjinë, -më pak se 2 milionë njerëz mbahen peng aty në zemër të Europës, pse? Nga ana tjetër, ka tensione Mitrovica e jo Mitrovica. Kur vjen fjala për të mbështetur suksesin e dialogut, askush nuk mendon “Jepuni këtyre njerëzve lirinë të lëvizin” dhe thojuni “Jeni të lirë tashmë të lëvizni”, por në të njëjtën kohë, le të ketë më shumë dialog konstruktiv”.
Ndaj Edi Rama vazhdon të shohë si zgjidhje shumë utilitare për të ndryshuar qasjen e BE-së ndaj rajonit të Ballkanit propozimin e Presidentit francez për një komunitet politik europian ku në tryezen e diskutimeve politike veç vendeve të unionit të ulen dhe vendet jo anëtare të BE.
Tv Klan