Situata gjeopolitike e krijuar si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë imponon një tjetër dinamikë për zgjerimin e Bashkimit Europian: Dinamikën e një anëtarësimi më të shpejtë sesa ishte parashikuar për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe anëtarësim për Ukrainën dhe Moldavinë. Edhe pse integrimi i vendeve aspirante për anëtarësim mbetet i bazuar në meritë, konteksti gjeopolitik e vendos Bashkimin Europian përballë nevojës të përshpejtimit të procesit. Kjo reflekohet së pari në vetëdijshmërinë për vizionin e ri të Bashkimit Europian pas 2030, i zgjeruar me 8 vende, që gjë ishte e pakonceputeshme para agresionit rus në Ukrainë. Dhe së dyti, kjo reflektohet në përparësinë që po i jepet zgjerimit të BE-së në disa deklarata të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Europian, të kryeministrave dhe ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të kësaj organizate.
Datat më të rëndësishme se transformimi demokratik dhe ekonomik ?
Që prej zgjerimit me dhjetë vendeve të Europës Lindore dhe Qëndrore në 2004, Bashkimi Europian është treguar shumë i kujdesshëm për fiksimin e datave konkrete lidhur me zgjerimin e kësaj organizate. Kjo pasi kjo organizatë numëronte 15 anëtarë para 2003, kaloi në 25 anëtarë në 2004, në 28 anëtarë në 2013 (me hyrjen e Kroacisë) dhe më pas 27 anëtarë në 31 janar 2020 si rrjedhim i daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE. Pra, bëhet fjalë për pothuajse një dyfishim të kësaj organizate brenda 10 vjetësh dhe me absorbim në termat institucionalë, të vendimarrjes dhe politikat e BE-së përgjatë 19 vjetësh. 19 vjet për të “ akorduar violinat së bashku” është sfiduese për një dyet, jo më për 27 vende.
Në këtë kuptim, Bashkimi Europian nuk është aspak fans i datave për zgjerimin.
Kjo, pasi zgjerimi i BE-së me 8 anëtarë të rinj pas 2030 (Mal i Zi, , Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Serbia, Kosova, Bosnja-Hercegovina, Ukraina, Moldavia) është po aq sfidues sa ai me 10 anëtarë në 2004 në terma institucionalë. Dhe është më shumë sfidues sesa ky i fundit në terma gjeopolitikë.Por kur zyrtarë të lartë europianë i referohen datave, kjo duhet parë si një vullnet dhe vendosmëri për t’u organizuar për të realizuar këtë objektiv, edhe pse ambicioz.
Fakti që presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, iu referua 2030 si një afat nuk duhet parë si datë fikse për anëtarësim për 8 vendet. Me gjithë dëshirën e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u bërë anëtarë në 2030, asnjë prej tyre nuk ia del dot në termat e tranformimit demokratik, ekonomik dhe shoqëror sê bashku. Ndërkohë, fiksimi i një horizonti 2030 e bën Bashkimi Europian të rishikojë dhe koordinojë të gjitha hallkat, në mënyrë që vendet aspirante të jenë sa më afër “finishit” në këtë horizont. Aktualisht, Charles Michel po planifikon takimin me liderët e BE-së, jo të gjithë së bashku, por në grupe të vogla për t’u njohur me qëndrimet e 27 qeverive europiane për zgjerimin. Pasja e një tabloje të përgjithshme të qëndrimit të 27 vendeve anëtare është i rëndësishëm për Charles Michel për takimin e rradhës së komunitetit europian politik, që do mbahet në 5 tetor në Spanjë, ku do marrin pjesë të gjitha vendet aspirante. Zgjerimi është gjithashtu temë kyçe e fjalimit vjetor që presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen do të mbajë në Strasbourg në 13 shtator mbi gjendjen e Bashkimit Europian, që pritet gjithnjë me shumë interes. Vetë motorri i Europës, Gjermania dhe Franca, edhe pse me nuancim në artikulim tregojnë që zgjerimi i Europës është në fokus dhe përshpejtimi i integrimit të 8 vendeve aspirante është i pashmangshëm.Kjo motivon vendet e Ballkanit Perëndimor që t’u përvishen rrënjësisht reformave kyçe që kanë përpara dhe të mos gjejnë “fajtor” për mosavancim të shpejtë në reformat e shtetit ligjor, pavarësisë së gjyqësorit, lirive themelore, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ekonomisë së tregut. /Erisa Zykaj – Tv Klan, Bruksel/