Zgjedhjet që mund të mbyllin një epokë

Zgjedhjet më të vështira për presidentin Erdorgan pas 21-vitesh në krye të Turqisë

E njëjta qeverisje apo do të mbyllet një epokë… Për këtë do të votiojnë më 14 maj më shumë se 60.5 milionë turq. Ata nuk do të zgjedhin thjesht presidentin e 13 të republikës, por me votën e tyre mund të ndryshojnë gjithçka duke nisur një kapitull të ri për vendin.  21 vite histori mund të përfundojnë në një ditë pranvere…

Rexhep Tayyip Erdogan kërkon votën edhe për 5-vjetët në vazhdim. Ka shkruar historinë në një shekull republikë si lideri më i fuqishëm pas themeluesit të Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturkut. E nisi rrugën politike nga bashkia e Stambollit. Në vitin 2002 u ul në karrigen e kryeministrit që nga ajo kohë e udhëheq vendin herë si kryeministër e herë si president. U largua nga kreu i qeverisë në vitin 2014 me synim postin e presidentit. E kishte idenë e qartë për ndryshimin e sistemit politik të cilin e arriti me referendumin e vitit 2018 dhe mori gjithçka në duart e tij.

Politikani 69-vjecar premton Turqinë e së ardhmes me vizion e 2070 dhe kërkon që të qëndrojë në të njëjtën karrige, dhe në të njëjtin pallat, Bestepe, godinën me 1 mijë dhoma, më luksozen në Turqi.

Pavarësisht eksperiencës, zgjedhjet e 14 majit parashikohen të jenë më të vështirat për të. Erdogan kërkon votën e qytetarëve të cilët përballen me një nga krizat më të rënda ekonomike. Inflacioni është më i larti në 24 vite ndërsa monedha vendase lira po humbet pike çdo ditë. Gjithçka është shtrenjtuar  dhe papunësia është në nivele të larta.

Presidenti aktual u kërkon votën edhe banorëve të 10 qarqeve të vendit që u goditën nga tërmetet e 6 shkurtit. Shumë prej tyre humbën të afërmit dhe dhimbja është ende prezente. Shumë të tjerë i kanë braktisur qytetet dhe janë zhvendosur në zona të tjera të vendit. Po mundohen të gjejnë një strehë e të tjerë jetojnë në kushte të vështira.

Në këto zgjedhje, Erdogan dhe partia e tij AKP nuk ka tre bashkitë e mëdha, Ankaranë Izmirin dhe Stambollin që i humbi në vitin 2019.

Përballë tij në këto zgjedhje është kryetari i opozitës Kemal Kilicdaroglu. Ai drejton që prej vitit 2010 partinë republikane popullore ndërsa nuk ka fituar deri tani asnjë përballje me Erdoganin. 74-vjecari i cili është kritikuar shpesh për politikën opozitare jo të fortë kandidon për herë të parë për të qenë president i vendit.  Ai është kandidati i koalicionit iopozitar prej 6 partish  ndërsa bashkëudhëtarë të tij janë edhe ata që dikur kanë qenë anëtarë të partisë së Erdogan. Fushatë për Kilicdaroglu bëjnë Ahmet Davutoglu ministër i jashtëm dhe kryeministër i Turqisë, dikur një nga njerëzit më të besuar të presidentit aktual. Edhe Ali Babacan ish-ministër në qeveritë e Erdogan është pjesë e opozitës. Kilicdaroglu ka në krah edhe një poitikane të fortë si Meral Aksener edhe kjo dikur anëtare e partisë AKP. Partia që ajo ka krijuar IYI Parti është në rritje dhe pritet të jetë një faktor në politikën e Turqisë.

Me firmat e qytetarëve në garë është edhe Muharrem Ince. Dikur pjesë e partisë republikane popullore tani kryetar i partisë Atdheu. Provon sërish që të jetë president i vendit ndërsa e ka humbur një përballje me Erdoganin në vitin  2018 kur ishte kandidat i opozitës. Votat që do të sigurojë Ince në këtë proces elektroral mund ta cojë zgjedhjen e presidentit të ri në raundin e dytë të 28 majit.

Kandidati tjetër është Sinan Ogan. Aktualisht është kryetar i opartisë Fitorja ndërsa mbështetet nga një koalicon me parti të vogla. Ogan është edhe më pak favoriti në garën e 14 majit.

Sondazhet nxjerrin para me pikë kandidatin e opozitës Kemal Kilicdaroglu. Me sloganin “Ju jap Besen”, 74-vjecari premton se do të ndryshojë gjithçka. Më e rëndësishmja është ndryshimi i sistemit. Kilicdaroglu dhe koalicioni i tij premtojnë rikthimin e sistemit parlamentar. Nëse kjo do të ndodhë opozita e ka vendosur kë do të prezantojë për kryeministër para votuese. Është pikërisht politikania Meral Aksener që mund të jetë kryeministrja e dytë e Turqisë pas Tansu Ciller.

Koalicioni opozitar ka mbështetjen edhe të partisë kurde Popullore Demokratike kryetari i së cilës Selaatin Demirtas ndodhet në burg. Erdogan e cilëson këtë parti si terroriste ndërsa kërkoi nga gjykata mbylljen e kësaj force politike por nuk ndodhi.

Nga ana tjetër aleanca në pushtet ka përfshirë edhe dy parti të ekstremit siç janë Hyda Par dhe Partia e Bashkimit. Këto forca politike synojnë që të jenë në kuvendin e ri të Turqisë ndërsa parashikohet ta dëmtojnë Erdoganin dhe partinë e tij për shkak të mospëlqimit në popull.

Si pushteti dhe opozita kanë shprehur bindjen se do të shkruajnë historinë më 14 maj. Për këtë po përpiqen të bindin qytetarët sidomos të rinjtë. Janë rreth 5 milionë qytetarë që votojnë për herë të parë dhe vota e tyre pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e vendit.

Klan News

Lexo gjithashtu
Total
0
Share