Zgjedhjet Presidenciale/ Dita e gjashtë e fushatës – kandidatët vazhdojnë me zotimet!

Nga Hristijan Mickoski shpërfaqet fytyra e Nikola Gruevskit – ka deklaruar Pendarovski nga mitingu i mbrëmshëm në Lagjen Aerodrom të Shkupit.

Detyra e parë si president I ardhshëm, sipas Pendarovskit, do të jetë vettingu për gjykatësit dhe prokurorët por edhe për politikanët.

“33 vite jemi shtet i pavarur dhe secili politikan, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, shprehet se gjyqësori duhet të jetë i pavarur. Mickoski në 2024 thotë se do ta shqyrtojmë pronën e dikujt, do të arrestojmë. Nuk mund ta kuptoj nëse ai ëhtë kandidat për Kryeministër ose kandidat për gjykatës apo Prokuror. Si ka mundësi që si politikan të paralajmërosh arrestimin e dikujt” – tha Stevo Pendarovski, LSDM.

VMRO-DPMNE është në pritje të përgjigjes nëse Pendarovski do ta bojkotojë rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, sic thonë, pas humbjes katastrofale në rrethin e parë.

Kandidatja Gordana Siljanovska Davkova nga Manastiri është shprehur lidhur me pohimet për izolimin ndërkombëtar të kësaj partie.

“Dëgjoj se nëse bëhem presidente kurse z.Mickoski Kryeministër ky vend do të izolohet. I pyes, nëse jemi të izoluar kurse ata brenda, kush I mbështet në këto zgjedhje? Kush është i izoluar? Ai që nuk mund të hyjë në ahengjet e partive të tyre apo ai që flet për të ardhmen evropiane të Maqedonisë, në samitin e Partive Popullore Evropiane” – tha Gordana Siljanovska Davkova, VMRO-DPMNE.

Kandidati presidencial i “Frontit Evropian”, Bujar Osmani mori pjesë në hapjen e Shtabit në Çair të Shkupit. Sipas Osmanit, vendi ndodhet në udhëkryq dhe mes dilemave integrim apo izolim.

“Rrallë ndodh që të ndodhemi në udhëkryq, të zgjedhim midis vizionit të integrimit dhe izolimit, bashkëjetësës dhe urrejtjes, zhvillimit dhe rrëshqitjes mbrapa, kjo është dilemma para së cilës gjendemi ne, nuk është garë mes nesh derivatëve, ky front nuk është i rastësishëm, nuk ka fotografi më të bukur kur shohim bashkë të gjithë. Nuk lejojnë të prekin një atom të vogël nga ne, këto burra që janë bërë pjesë e Frontit Europian” – tha Bujar Osmani, Fronti Europian.

Kandidati për President nga koalicioni VLEN, Arben Taravari, nëpër rrjete sociale vazhdon të bëjë publike, pjesë të programit të tij zgjedhor, duke e quajtur, Vizioni im – Maqedonia e Veriut e integruar në rajon dhe Evropë.

Do të siguroj letër garance nga përfaqësuesi I lartë I BE-së, që pas ndryshimeve kushtetuese nuk do të ketë kushte shtesë për RMV-në jashtë kornizës negociuese të vitit 2022 – shkruan në një nga zotimet e Taravarit bashkangjitur edhe planin e afatizuar nga mandatari i ardhshëm, për realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

Kandidatja presidenciale e “Levicës”, Biljana Vankovska ka qëndruar në Gjevgjeli dhe Bogdancë. Ajo në rrjetet sociale ka sqaruar zotimet për faljen e të dënuarve në rastin e 27 Prillit.

“Po, ne si president eventual do ta kemi këtë të drejtë, por ligji na detyron ta respektojmë procedurën. Procedura thotë përmes Ministrisë së Drejtësisë. Nëse tek unë vjen një propozim i tillë, unë do t`i falja të dënuarit për 27 prillin, për shkak se vuajtën shumë dhe paguan çmim të lartë” – tha Biljana Vankovska, LEVICA.

Kandidati presidencial i koalicionit që udhëhiqet nga partia “Grom”, Stevço Jakimovski, zotohet se si president I ardhshëm do ta luftojë dukurinë e partizimit të institucioneve.

“Partizimi po bëhet kancer I shoqërisë maqedonase, fatkeqësisht kjo epidemi ka kapluar edhe forcat e sigurisë së Maqedonisë, që është përplot me kuadra të LSDM-së ose VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së” – tha Jakimovski, GROM.

Nëse merr mandatin, në 100 ditët e para, kandidati presidencial I partisë “Znam”, Maksim Dimitrievski zotohet se do të formojë një ekip special të ekspertëve për BE-në që do të nis procesin e adaptimit të kornizës negociuese.

Ai gjatë një interviste për portalin “Lokalno” është prononcuar për “listat e zeza” amerikane por edhe për partitë shqiptare.

“Për “listën e zezë” të SHBA-së dhe nevojës së miratimit të Ligjit për masa restriktive, me këtë cënohet rendi kushtetues i vendit, kurse Maqedonia dëshmon se institucionet, veçanërisht Prokuroria, nuk funksionon. S`kemi problem të jemi në koalicion me parti shqiptare, nëse janë për vlera dhe kritere evropiane dhe nëse nuk punojnë kundër interesave të vendit” – tha Dimitrievski, ZNAM.

Fushata presidenciale ka hyrë në ditën e 6-të, kurse shtatë kandidatët vazhdojnë tubimet, takimet dhe mitingjet partiake për të promovuar platformat e tyre zgjedhore. /tvklan.mk/

Lexo gjithashtu
Total
0
Share