Miftaraj: qeveria po bënë përpjekje për t’a penguar procesin, para se të ofrojë zgjidhje
Udhëzimi Administrativ që ka nxjerrë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës për largimin e kryetarëve të komunave nga detyra, është anti-kushtetues dhe tendencë për prolongim të proceseve, vlerësojnë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi. Ndërsa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës thonë se problemet politike nuk mund të zgjidhen me akte nënligjore.
“IKD e ka thënë që ky udhëzim administrativ fatkeqësisht është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk mundet që mandati i një kryetari të komunës të përcaktohet ose të rregullohet me një udhëzim administrative. E dimë që e kemi ligjin për vetë qeverisje lokale por në mënyrë që procedurat, kriteret dhe kushtet për largimin e kryetarëve përmes iniciativave nga qytetarët, ne besojmë që do të duhet të bëhej së paku me ligj, të kishte kritere të qarta, procedura në mënyrë që pastaj të kishte mundësi në njëfarë mënyre edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, t’a zbatonte atë në praktikë”, thotë Ehat Miftaraj nga IKD.
“Ligji për vetëqeverisje lokale përkatësisht neni 72 i këtij ligji është shumë i qartë sa i përket inicimit të procedurave për shkarkimin e kryetarit të komunës. Udhëzimi administrativ nuk ka paraparë diçka më shumë sa i përket rëndësisë së procedurave se sa e përcakton ligji për vetëqeverisje lokale. Për çdo inicim të një procedure për shkarkimin e një kryetari të komunës duhet me pas alibi se përse ai kryetar duhet të shkarkohet. Nuk mundesh me filluar një iniciativë qytetare pa pasur alibi se përse don ta shkarkosh kryetarin, a ka bërë diçka dëm shoqëror apo çka ka bërë në mënyrë që të iniciohet procedura për shkarkim”, tha Sazan Ibrahimi, Drejtor i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Udhëzimi Administrativ, i cili është bërë publik këtë javë, parasheh fillimisht inicimin e një peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse dhe nënshkrimin e tij nga 20 për qind e votuesve të asaj komune./KlanMacedonia