OJQ-të: PRITET PJESËMARRJE E ULËT NË VOTIME
Presioni mbi ata pak politikanë serb që u certifikuan për të marrë pjesë në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore duket se po e bën të veten.
Pas Aleksandar Arsenijeviq qe ishte terhequr nga gara për kryetar komune në Mitrovicë edhe Aleksandar Jabllanoviq bashke me partine e tij janë tërhequr nga gara.
Sllagjana Pantoviq është e vetmja serbe që garon në zgjedhje për kryetar komune në Zvecan ndërsa ka dy kundërkandidat shqiptar.
Në tri komunat tjera nuk ka asnjë kandidat serb.
Miodrag Miliceviq nga Organizata Joqeveritare Aktiv vlerëson se do të ketë pjesëmarrje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje.
“Këto zgjedhje do të jenë si procesi i deritashëm, me numër të limituar të votuesve. Në veriun e Mitrovicës mund të presim më shumë votues për dallim nga 3 komunat tjera, sepse ka votues shqiptar që jetojnë në veri të Mitrovicës. Mendoj se 500-600 qytetarë do të votojnë. Serbët do ti bojkotojnë këto zgjedhje dhe nuk pritet dalje e tyre në zgjedhje”, tha Miodrag Miliceviq.
Lista Serbe që është partia më e madhe e serbëve në Kosovë ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje ndërsa u ka bërë thirrje edhe qytetarëve që ti bojkotojnë ato.
“Bojkoti i zgjedhjeve asnjëherë nuk është opsion i mirë. Ne këtu po e shohim realitetin dhe besoj fuqishëm se do të duhej të kishte një zgjidhje politike për zgjedhjet”, tha Miodrag Miliceviq.
Zgjedhjet në veri mbahen pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës në këtë pjesë të vendit.
Përgatiti: Blerta Dalloshi Berisha