Zgjedhjet në veri – KQZ shtyn për mbledhjen e radhës rekomandimet e KKZ-ve për qendrat e votimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shtyrë për mbledhjen e ardhshme tri pika të rendit të ditës. Njëra prej tyre ishte edhe njoftimi për rekomandimet e KKZ-ve në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan për qendrat e votimit.

Arsyetimin për shtyrjen e pikave të rendit të ditës e ka dhënë kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj, i cili tha se KKZ-të nuk kanë arritur ta përgadisin raportin.

“Arsyetimi që të shtyhen këto pika për mbledhjen e rashës me qëllim që pas vlerësimit të KKZ-të në secilën komunë ta kemi raportin e plotë, që të trajtohet në KQZ, sepse nuk ka arritur të përgatitet me kohë nga KKZ-të”.

Dy pikat tjera që u shtynë për mbledhjen e ardhshme ishin edhe: Shqyrtimi dhe miratimi i numrit të fletëvotimeve që shtypen për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe numrit të fletëvotimeve dhe broshurave që shtypen për zgjedhjet e parakohshme për kuvende në Komunat e Zveçanit dhe Leposaviqit 23 prill 2023; Rekomandim për rritjen e numrit të votuesve për vendvotime për Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, si dhe Zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e Komunave: Zveçan dhe Leposaviq 23 prill 2023.

Këtë e kanë kundërshtuar anëtarët e KQZ-së, Ilir Gashi dhe Arianit Elshani, të cilët kanë kërkuar arsyen pse po shtyhen këto pika të rendit të ditës.

“Mendoj që më mirë është me miratu rendin e ditës kështu siç është, pastaj kur të vijmë te pika e radhës, me propozimin e kryesuesit të këshillit i largojmë pikat një nga një, sepse duhet të ketë edhe një arsye se pse po largohen”, tha Gashi.

“Duhet të jepet arsyetim se pse po hiqen, pa një lloj arsyetimi nuk mund të marrim vendim, konsideroj që Sekretariati mundet me na dhënë një arsyetim dhe pastaj vazhdojmë”, tha Elshani.

Zgjedhjet lokale në katër komunat e veriut të Kosovës priten të mbahen me 23 prill ndërkohë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë aplikuar disa parti e kandidat nga partitë politike.

Në Mitrovicën e veriut janë tre kandidatë, Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare Mitrovica,  PDK garon me Taulant Kelmendin si dhe Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Leposaviq janë tre kandidat PDK garon me Albulena Behluli – Hetemi, Alekandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovë dhe Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në Zveçan janë gjithashtu tre kandidat, Ilir Peci nga PDK, Sllagjana Pantoviq – Kandidate e pavarur dhe Fetah Peci nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lexo gjithashtu
Total
0
Share