Shqipëria voton – Zgjedhjet vendore 2023

-Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00.

-Mbi 3.6 milionë qytetarë kanë të drejtë vote.

-Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi.

-Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.


Ora 11:28 – Incident në Spitallë, ndërpritet votimi 30 minuta! Përplasje edhe në Fushë-Krujë

Përpos problemeve teknike në disa qendra votimi me pajisjen e identifikimit biometrik, këtë të Dielë janë shënuar dy incidente në qarkun e Durrësit.

Gazetarja Enkeleda Arapi ka raportuar nga qendra e votimit në Spitallë, atje ku dhe procesi i  votimit u ndërpre për 30 minuta. Arapi thotë se ka pasur përplasje mes një grupi të mbështetësve të opozitës me ata të Partisë Socialiste.

“Pak minuta më parë u ndërpre procesi i votimit për shkak të disa personave që qëndronin jashtë, bëhet fjalë për mbështetës të PD-së dhe PS-së, opozita thotë se mbështetës të PS-së kanë intimiduar votuesit. Kryetari ka marrë vulën dhe ka ndërprerë procesin për 30 minuta.”

Një tjetër incident është shënuar dhe në Fushë-Krujë, për të cilin policia ka dalë me njoftim zyrtar. Një votues është përplasur fizikisht me një nga anëtarët e komisionit brenda qendrës së votimit.

“Një incident tjetër është raportuar dhe në Fushë-Krujë, komisioni i qendrës së votimit ka kërkuar ndihmën e efektivëve pasi një votues ëstë konfliktuar me një anëtar të komisionit. Në debat e sipër ai e ka qëlluar me grusht. Tanimë situata është normale, ndërkohë që aty qëndron policia për të shmangur situata të ngjashme”, deklaroi gazetarja.

Pavarësisht incidenteve, në të gjithë qarkun votimi vijon normalisht. Por sipas Arapit, deri në këto momente pjesëmarrja është e ulët.

Thuhet se kanë marrë pjesë vetëm 6% e gjithë votuesve të qarkut të Durrësit”, theksoi ajo.


Ora 11:19 – Shefja e misionit të vëzhguesve të OSBE-ODIHR, Glover: Deri tani situata e qetë, të presim përfundimin e procesit

Drejtuesja e misionit të vëshguesve të OSBE-ODIHR, Audrey Glover, shprehet se deri më tani procesi zgjedhor paraqitet i qetë teksa shton se duhet pritur deri në përfundim të zgjedhjeve për të dalë në një përfundim të qartë lidhur me mbarëvajtjen e tyre.

Shefja e Misionit Vëzhgues të OSBE-së, Glover: Ne duhet të shohim të gjithë procesin sot dhe të shohim se çfarë mund të nënvizojmë dhe të bëjmë vlerësimin përkatës. Është situata e qetë deri tani, ndoshta edhe për shkak të motit. Ne jemi duke e vëzhguar procesin dhe shumë pyetje duhet të gjejnë përgjigje, ne nuk kemi asnjë panoramë të qartë. Ne duhet të presim përfundimin e procesit. Ne duhet të presim akoma. Edhe procedurat e djeshme, shpërndarja e materialeve zgjedhore, janë pjesë e raportit tonë që do të prezantohet të hënën. Ne nuk mund të krahasojmë zgjedhjet, është diçka më vete, është unike. Të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme, na tregojnë se çfarë votuesit duan, të gjitha zgjedhjet janë të rëndësishme. Ne nuk krahasojmë kurrë zgjedhjet sepse çdo zgjedhje është unike, për shembull zgjedhjet e fundit lokale ishin të njëanshme. Ne duhet të presim si do të shkojë kjo në praktikë. Po shohim procesin për pajisjet identifikuese dhe më pas do të shkojmë të ndjekim votimin elektronik për të parë se çfarë do të ndodhë.


Ora 11:18 – Voton Roland Bejko në Tiranë: Sot është ditë e madhe për demokracinë vendore

 

Kandidati i Partisë Demokratike në Tiranë Roland Bejko ka votuar dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime dhe të lënë pas të shkuarën.

“Sot është një ditë ku ata duhet të shprehen për Tiranën, për kryebashkiakun që duan të zgjedhin. Sot është një ditë e shumë e madhe për demokracinë vendore dhe një vend ka aq demokraci sa ç’ka demokraci vendore.

Është rasti që nëse qytetarët janë të mërzitur nga klasa e vjetër politike, që Tirana ka rënë në duar të një pakice oligarkësh, kjo është dita që qytetarët e Tiranës të shprehen kundër tyre.

E ardhmja ime politike nuk varet nga këto zgjedhje, unë jam misionar në politikë”, tha Roland Bejko.


Ora 11:12 – Voton kandidati PS në Gjirokastër Flamur Golemi: Sot do të ecim përpara

 

Ora 11:05 – Ambasadorja e BE: Sa më shumë zgjedhës të dalin të votojnë

Ambasadorja e BE në vendin tonë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shkojnë për të votuar dhe të zgjedhin kryetarët e bashkive dhe këshillat bashkiakë.

“Dëshira dhe urimi im për ditën e sotme është që sa më shumë zgjedhës të dalin të shkojnë në qendrat e votimit dhe që dita të vijojë kështu pa probleme në mënyrë të paqeshme.

Ajo që do vendosin qytetarët në të gjithë Shqipërinë është se kush do jenë përfaqësuesit e tyre në këshilla bashkiakë dhe ata që do ju përfaqësojnë në 4 vitet e ardhshme prandaj shfrytëzojeni të drejtën demokratike për të zgjedhur. Synimi duhet të jetë që të zgjidhet politika më e mirë që ju mendoni”.


Ora 10:57 – Voton Kryeministri: Uroj që situata e krijuar nga KQZ të mos dekurajojë qytetarët

Sot më 14 Maj, ka hedhur votën e tij Kryeministri i vendit Edi Rama në shkollën “Ymer Lala” të Surrelit në Tiranë.

Në qendrën e votimit ai është shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama. Kreu i qeverisë uroi që situata e krijuar nga KQZ me pajisjet e identifikimit biometrik të mos dekurajojë qytetarët të votojnë.

“Besoj janë thënë të gjitha ato që duheshin thënë, tani është momenti i gjithë qytetarëve që të thonë fjalën e tyre. Uroj shumë që situata e krijuar nga KQZ të mos ketë ndikuar në dekurajimin e atyre që kanë shkuar të votojnë që në fillim në ato zona ku nuk punuan aparaturat. Shpresoj që të kthehen për të votuar në mënyrë që vullneti të shprehet i plotë në gjithë Shqipërinë.”


Ora 10:54 – Votojnë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta së bashku me bashkëshorten dhe njëherësh deputeten e PL-së, Monika Kryemadhin kanë votuar ditën e sotme rreth orës 11:00.

Meta dhe Kryemadhi kanë qenë të shoqëruar nga fëmijët e tyre, të cilët gjithashtu kanë votuar.


KQZ: Deri në orën 10:00 pjesëmarrja në votime ka qenë 8.08%

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve raporton se deri në orën 10:00 pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 8.08% ose kanë votuar 158 mijë qytetarë.


Ora 10:44 – Voton Benet Beci: Sot do të flasin qytetarët, ditë e rëndësishme për Shkodrën

 

Kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, Benet Beci ka votuar paraditen e sotme në qytetin e Shkodrës.

Pas votimit, Beci ka dhënë dhe një pronocim për mediat, ku nuk ka preferuar të flasë gjatë sepse ka thënë që ditën e sotme do të flasin qytetarët dhe ka shtuar se është një ditë e rëndësishme për Shkodrën.

Benet Beci: Kemi folur shumë gjatë kësaj fushate. Sot do të flasin qytetarët. Do ta doja të vazhdojmë bukurinë e fushatës dhe sot dhe sa më shumë të shkojnë drejt kutisë së votimit. Është një ditë e rëndësishme për Shkodrën. Dua të falenderoj dhe gazetarët që kanë përcjellë fushatën në një mënyrë shumë profesionale, suksese të gjithëve.

Ora 10:42 – Elja Zotka: Në qendrën e votimit në Surrel procesi filloi në orën 09:00

Gazetarja Elja Zotka raporton se në qendrën e votimit numër 16/26 në zonën e Surrelit në Tiranë, aty ku voton dhe Kryeministri Edi Rama, procesi i votimit ka nisur në orën 09:00.

Kjo për shkak të problemeve teknike me pajisjen e identifikimit biometrik.


Ora 10:38 – Incidenti në Kolonjë, flet Erion Isaj: E turpshme! Shpresoj t’u dalë pija, unë pres rezultatin

Kryetari i bashkisë së Kolonjës dhe njëherësh kandidati i mazhorancës për këto zgjedhje, Erion Isaj ka sqaruar me detaje ngjarjen e ndodhur mbrëmë në aksin rrugor Korçë-Ersekë.

Isaj u shpreh se disa makina i bllokuan rrugën, duke e cilësuar një ngjarje të turpshme që tregon se sa e nervozuar dhe e dëshpëruar është pala kundërshtare politike.

Personi që e ka grushtuar në fytyrë, theksoi ai është anëtar i KZAZ-së së koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” në Kolonjë. Isaj tha se është i qetë në pritje të rezultatit dhe u bëri thirrje kolonjarëve të shprehin bindjen e tyre me votë masivisht.

Zoti Isai çfarë ka ndodhur një natë përpaa?

Erion Isai: Shumë faleminderit për këtë vëmendjen, dhe së pari ftoj të gjithë qytetarët e Kolonjës të dalin masivisht në votime, të votojnë për kë të duan dhe si të duan. Është një ditë e bukur që ka të bëjë me ndryshimin e qytetit dhe i ftoj të ushtrojnë të drejtën e tyre. Më vjen turp në fakt që kjo vëmendje nuk vjen për shkak të ditës së zgjedhjeve si normalitet, por për një ngjarje që i ka ikur edhe koha dhe stili e moda dhe mbrëmë më është dukur sikur po xhirohej filmi i Kanan Tafilit me historira bllokime rrugësh, absurditete, banalitete që nuk i kanë hije të gjithë Shqipërisë.

E jo më Kolonjës që e ka treguar se dhunën e dënon me forcë të madhe, Kolonja për këtë rast ka një shprehje shumë të bukur “gjarprit kur i vjen ngordhja, del në rrugë” edhe më vjen keq për të gjithë incidentin e ndodhur. Gjëja që më vjen keq është që kur të kërkohet në Google Kolonjë do dalë dhe kjo ngjarja e shëmtuar, përveç figurave dhe historive të bukura që Kolonja shfaq. Nuk dua të bëhem as i viktimizuar apo i dhunuar, por ngjarja ka qenë e turpshme për sa kohë gara ka qenë qytetare, ne kemi bërë një garë shumë të bukur si PS dhe rezultati do ta tregojë. Nervoziteti tregon panik, kështuqë kush ka treguar panik edhe në intervistën e pak minutave më parë, një histori banale. Shpresoj t’ju dalë rakia shpejt dhe të tregojnë se sa të mjerë janë.

-Nga sa persona jeni dhunuar zoti Isaj?

Erion Isaj: Ishte një ngjarje që ndodhi në mes të rrugës nacionale, e bllokuar fizikisht me makina. Personi që arrita të identifikoj dhe ushtroi goditjen është anëtar i KZAZ-së së BF-së në Kolonjë.

-Ju a keni pasur kontakt dje me banorët e fshatit Qafëzezë?

Erion Isaj: Kam pasur kontakt me zonjën e lokalit që më ftoi të pinim një kafe, ku qëndruam shumë pak minuta dhe takuam shumë njerëz atje. Unë kam të drejtë të konsumoj kafe, kohë me të gjithë njerëzit që unë e mendoj të arsyeshme. Kam qenë me mikun tim aktor dje në makinë dhe me miqtë e mi patjetër, stafi im tregoi qytetari të jashtëzakonshme duke mos bërë asnjë veprim. Kandidatin e koalicionit nuk e kisha njohur, e pashë dje të shpërfytyruar, o do ketë qenë i dehur ose i dëshpëruar. Uroj t’i dalë pija shpejt, ngushëllime për të…Realisht më vjen turp, sinqerisht më vjen turp, janë forma që u ka ikur koha, është e turpshme. Jemi familjarë, jemi njerëz të kulturuar, kemi një profesion. Është doktor dhe për këtë më vjen keq që ka qenë në krye të çetës së Kanan Tafilit.

-Ju e keni bërë denoncimin, cili është apeli juaj?

Erion Veliaj: Nuk kam asnjë apel, drejtësia është e reformuar kështuqë s’kam asnjë merak. Nuk ndihem as i dhunuar as i barbarizuar në këtë rast, ndihem i qetë. Ftoj të gjithë qytetarët ta shprehin bindjen dhe vullnetin e tyre, unë jam i qetë të pres rezultatin.


Ora 10:34 – Ambasadorja Kim thirrje autoriteteve: Zbatoni ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë

Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim shpreson që të gjithë qytetarët shqiptarë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike përmes votës.

Përmes një postimi në Instagram, ku ka shpërndarë foton e “bexhit” të saj si vëzhguese në zgjedhjet e 14 Majit në vend, thotë se është thelbësore të respektohen ligjet për zgjedhjet, ku përfshihet edhe shit-blerja e votës.

Ambasadorja Kim iu ka bërë thirrje autoriteteve që të zbatojnë rregullat dhe ligjet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë.

Yuri Kim: Shpresojmë që të gjithë qytetarët e Shqipërisë të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore demokratike për të shprehur vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Është thelbësore që të gjithë të respektojnë ligjet për zgjedhjet, si dhe normat ndërkombëtare, duke përfshirë ndalimin e blerjes ose shitjes së votave. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve që të zbatojnë të gjitha ligjet dhe rregullat në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Zyrtarët e ambasadës po i bashkohen institucioneve të tjera ndërkombëtare në vëzhgimin e zgjedhjeve në të gjithë vendin.


Ora 10:23 – Voton Jozefina Topalli: 3 arsyet kryesore pse votoj bashkë me familjen time

Ish-kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka votuar në Shkodër së bashku me familjen e saj.

Pas votimit, Topalli është shprehur se ka shumë arsye pse ajo voton sot, teksa ka theksuar 3, që sipas saj janë më të rëndësishmet për të sjellë ndryshime në vend.

Jozefina Topalli: Arsyet pse votoj bashkë me familjen këtu janë shumë, por 3 janë kryesore. E para, është se është votë për pluralizimin sepse në 10 vitet e fundit ka pasur deformacione. E dyta është sepse kjo është një votë kundër cinizimit të pushtetit qëndror që ka sjellë zero investime në qytetin e Shkodrës, e pafalshme. E treta, është një votë për të ndryshuar të tërën në mënyrë që t’i themi “Stop” boshatisjes së vendit tonë. Këto janë detyra të mëdha që me një votë mund të sjellin ndryshime të rëndësishme për vendin tonë.


Ora 10:13 – Sali Berisha hedh votën: Kjo është Pranvera e ndryshimitnesër arkivohet monizmi

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka votuar në orën 10:13 në shkollën “Kosova” në kryeqytet.

Sali Berisha: Një thirrje nga zemra për të gjithë qytetatët shqiptarë, të flasin sot me votën e tyre për qeverisjen vendore. Të gjithë ata të cilët u ftuan nga armiku i egër i votës së lirë të shqiptarëve që të rrinë në shtëpi, të mos harrojnë se ky është një nxitje një apel i madh që ata të marrin sot pjesë në votime. Ai që ka frikë votën ai ka frikë lirinë dhe është armik i saj.

Ftoj të gjithë zgjedhësit të mos harrojnë se përsëritja e të njëjtit gabim e bën gabimin edhe më të madh ndaj dhe le t’u prijë mençuria e tyre në mënyrë që të votojnë në interesin më të mirë të tyre, familjes së tyre, vendit të tyre. Ndryshim, kjo është Pranvera e ndryshimit. Nesër Shqipëria arkivon përfundimisht monizmin e shëmtuar në Shqipëri dhe kjo është një ditë fitoreje për demokracinë shqiptare.

Ka disa problematika që duhet të shqyrtohen. Pajisjet kanë patur në një përqindje jo të vogël mosfunksionimi. Do dëgjoni në darkë që do thonë se na ndërhynë hakerat iranianë, por janë hakerat qeveritarë që ndërhyjnë. Ka disa qendra, rrethe si për shembull në Durrës, famozi Ron Shqopa dhe disa drejtorë përgjegjësa të njësive administrative kanë preferuar ose kanë dashur të bëjnë xhandarin në qendrën e votimit por janë përzënë siç meriton. Në qoftë se i bini numrit të policisië nuk përgjigjet më, ka marrë pushim sot policia.


Ora 10:11 – Pajisjet elektronike të identifikimit të zgjedhësve/ Celibashi: Nuk kemi informacion për 532 qendra votimi

Në një deklaratë për mediat, kryekomisioneri i KQZ-së, Ilirjan Celibashi shprehet se janë evidentuar probleme të shumta me pajisjen Pay të identifikimit biometrik të votuesve.

Teksa flet me numra, Celibashi thekson se në 4 464 qendra votimi, procesi vijon normalisht me pajisjen Pay, në 205 qendra pajisja është e konfiguruar, por nuk mund të marrë informacion në kohë reale prej tyre. Celibashi shton se për 532 qendra votimi nuk kanë informacion nëse po punojnë përmes pajisjes së identifikimit.

Ilirjan Celibashi: Meritoni të informoheni mbi problematikat e shumta lidhur me pajisjet elektronike të identifikimit të zgjedhësve. Janë 4 464 qendra votimi që funksionojnë normalisht në kuptimin e pajisjes elektronike, po bëhet përmes pajisjes Pay.

Janë 205 qendra votimi, të cilat sipas informacionit në kohë reale që marrim, na tregojnë këto të dhëna që këto 205 qendra votimi, pajisja është e konfiguruar, por nuk mund të marrë në kohe reale informacion prej tyre. 532 qendra votimi për të cilat ne nuk kemi informacion, ose të gjitha këto qendra Pay nuk funksionon, funksionon pjesërisht, por ne këtë të dhënë nuk e kemi përmes sistemit. Jemi duke komunikuar me këto qendra votimi me operatorët për të ditur nëse aty procesi është duke u zhvilluar nëpërmjet Payt apo manualisht. Janë 532 qendra votimi për të cilat presupozohet në rastin më të keq, që identifikimi aty nuk po bëhet përmes pajisjes së identifikimit. Kjo është sistuata, jemi përpjekur që të korrigjojmë për aq sa objektivisht ka qenë e mundur me resurset që kemi pasur për të ndryshuar situatën.

Duke vlerësuar për situatën, kemi vlerësuar që për të mos penguar procesin e votimit, urdhëruam që procesi i identifikimit të votuesve të bëhet me mënyrën tradicionale pasi në aspektin teknik nuk kishim asnjë mundësi më shumë.

Ora 09:58 – Voton Alibeaj: Sot është dita e ndarjes së madhe me të shkuarën

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka votuar mëngjesin e kësaj të Diele në kryeqytet.

Në një prononcim për media, Alibeaj u bëri thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim politik që të dalin e të shprehin vullnetin e tyre me votë, pasi sipas tij 14 Maji shënon ndarjen e madhe me të shkuarën.

“Votova për pak minuta sepse besoj që zgjedhja është e lehtë për këdo sot. Po e kam një mesazh për të gjithë demokratët, shqiptarët e ndershëm e të lirë. Sot duhet të ushtrojnë votën në mënyrë të qetë e të matur për të bërë një ndarje të madhe me të shkuarën.

Sot është dita, do të duhet të vijnë dhe kjo është në dorë të shqiptarëve. Ndarjet e mëdha me të shkuarën bëhen vetëm me pjesëmarrje masive ndaj dhe ftoj këdo, çdo shqiptar të ndershëm, të lirë, që është jashtë shantazhit të dalin e të votojnë siç zemra dhe mendja jua do.”

Alibeaj theksoi se ka pasur një aleancë të përgjithshme të forcave të tjera politike për të sulmuar kandidatët e Partisë Demokratike zyrtare.

“Besoj që i kam bërë me dije të gjitha parregullsitë të cilat janë konkretizuar, i kemi demonstruar gjatë gjithë fushatës, ndaj kandidatëve tanë mesa duket ka një aleancë të gjithanshme për ta denigruar Partinë Demokratike. Një gjë është e sigurt, do të ketë sukses për demokratët dhe PD.

Aleancë, gjithë pjesa e vjetër 33-vjeçare që e ka marrë zvarrë këtë vend që ka krijuar dhe një lloj neverie ndaj politikës, sot askush nuk mund të rrijë e të sodisë, i ka një mijë e një votimë për të dalë, për të ndryshuar realisht atë çfarë Shqipëria duuhet të jetë nesër.”


Ora 09:55 – Voton Dorjan Lani, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Gjirokastër: Votoni të vendosim të ardhmen

 

Ora 09:52 – Problemet me identifikimin biometrik, KQZ urdhër: Vijoni procesin me listën e printuar

Pas problemeve teknike në disa qendra votimi me identifikimin biometrik, KQZ ka nxjerrë urdhër duke u kërkuar qendrave të votimit që të mos ndalojnë procesin dhe të vazhdojnë manualisht me listat e printuara të zgjedhësve.


Ora 09:48 – Bylykbashi: Personat e sistemit të patronazhimit të largohen menjëherë nga qendrat e votimit

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat ka bërë thirrje që të largohen menjëherë nga qendrat e votimit personat që janë të paautorizuar për të qenë pjesë e procesit zgjedhor.

Teksa foli me emra, Bylykbashi tha se janë njerëz të njohur për skemën e patronazhimit, të cilët sipas tij, po intimidojnë qytetarët.

Oerd Bylykbashi: Ka një urdhër të KQZ-së, i cili ndalon prezencën e çdo personi të paautorizuar në oborrin apo ambiente të tjera të qendrave të votimit. Në rast se nuk zbatohet kjo, KQZ ka detyrimin për të bllokuar votimin, të thërrasë policinë dhe të sjellë në parametrat e duhur votimin. Nëse mazhoranca socialiste nuk merr këtë lloj vendimi, do të njoftohet policia dhe situata do të vendoset.

Pyetje: Kush janë këto persona?

Oerd Bylykbashi: Kam raportim për Flamur Gjuzin, Roni Shqopën, kam raportim për drejtues të njësive administrative, të cilët janë brenda qendrave të votimit dhe marrin pjesë në proces duke ndikuar mbi zgjedhësit. E drejta e subjekteve zgjedhore është të kenë vëzhgues, por jo të kenë njerëz që intimidojnë, pjesë e sistemit të patronazhimit, me qëllim që të garantojnë që presioni i bërë në vendin e punës të transmetohet deri në momentin e fundit. Këta persona duhet të largohen menjëherë nga qendrat e votimit. Këta emra janë të njohur përsa i takon kësaj skeme. Presim që situata të rivendoset me shpejtësi. Vëzhguesit të vëzhgojnë, por jo të ushtrojnë presion mbi zgjedhësit. Këta persona nëse do të vazhdojnë, sipas ligjit, do të ndalohet procesi i votimit.


 

KQZ: 73947 qytetarë kanë votuar deri në orën 09:00

Deri në orën 09:00 në 2753 qendra votimi në rang vendi kanë votuar 73 mijë e 947 qytetarë.

Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5 213 qendra votimi nga ora 07:00-19:00. Për herë të parë në Kamëz, Vore dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik. Rezultati pritet të dalë pak minuta pas orës 19:00 për të mësuar drejtuesit e rinj të bashkive.

Në të gjithë vendin ka patur disa probleme teknike në disa qendra votimi.

 

 

Ora 09:31 – Gazetarja: Në Sarandë, Finiq, Delvinë dhe Selenicë nuk ka nisur procesi i votimit që prej orës 07:00

Gazetarja Anisa Krraba e cili po ndjek procesin e votimit për Qarkun e Vlorës, raporton se në disa bashki nuk ka nisur procesi i votimit që prej orës 07:00.

Sipas saj, bëhet fjalë për Bashkitë e Sarandës, Finiqit, Delvinës dhe Selenicës.

Gazetarja Krraba bëri të ditur se kjo ka ndodhur për shkak të problemeve me komisionerët pasi nuk janë paraqitur.


Ora 09:22 – Probleme me pajisjet e leximit elektronik të kartave në Dibër

Në Dibër janë hasur problematika me pajisjet e leximit elektronik të kartave. Kryetari i KZAZ, Nr. 19 Dibër, Mirjan Kaloshi pohon se mbi 60 % e pajisjeve në 99 qendra votimi nuk punojnë. Pritet vendimi nga KQZ për të filluar manualisht.

Mirjan Kaloshi: Nga ana e komisionerëve janë paraqitur ata që janë emëruar nga KZAZ, por problemi në të gjitha qendrat e votimit ka rezultuar në pajisjet Pay sepse në shumicën e pajisjeve Pay nuk pasqyrohen të dhënat e listës së zgjedhësve. Sipas ligjit, janë të detyruar 3 orë të presin. Ka radhë të qytetarëve që presin, ky është problem i KQZ-së, nuk varet nga ne. Shumë nga operatorët ose komisionerët raportojnë për problematikën, por nuk iu përgjigjen operatorët e KQZ-së për problematikën. Mbi 60 për qind e tyre nuk punojnë, kjo varet nga KQZ. Duhet të presin 3 orë, pastaj të votohet manualisht.


Ora 09:21 – Kanosi kryetarin e njësisë administrative Fratar për qëllime elektorale, procedohet penalisht 54-vjeçari

Një 54-vjeçar është proceduar penalisht pasi ka kanosur me fjalë kryetarin e njësisë administrative Fratar në Fier. Policia bën me dije se kanosja dyshohet të jetë për qëllime elektorale.

“Mbrëmjen e datës 13.05.2023, pas njoftimit të marrë nga shtetasi Sh. K., 56 vjeç, me detyrë kryetar i njësisë administrative Fratar, se në fshatin Fratar, e kishte kanosur shtetasi Sh. K., 54 vjeç, shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë dhe kanë shoqëruar të dyja palët e përfshira në konflikt. Në lidhje me konfliktin është njoftuar menjëherë edhe prokurori i gatshëm.  

Në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Sh. K., 54 vjeç, pasi dyshohet se për qëllime elektorale, në favor të një kandidati për kryetar bashkie, ka kanosur me fjalë, shtetasin Sh. K., 56 vjeç, kryetar i njësisë administrative Fratar.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprën penale “Kanosja”“, thotë policia përmes njoftimit zyrtar.


Ora 09:15 – Voton kandidati i PS në Vlorë: Qytetarët të votojnë për të ardhmen e tyre

Kandidati i PS në Bashkinë e Vlorës Ermal Dredha ka votuar rreth orës 09:15. Pas daljes nga qendra e votimit, ai ka folur shkurtimisht për gazetarët dhe ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u bërë thirrje qytetarëve që të votojnë.

“Vota është ushtrimi më i mirë i demokracisë. Vota është misioni më i shenjtë që çdo qytetar duhet ta ketë. Unë i bëj thirrje gjithë qytetarëve të Vlorës të votojnë, të votojnë për të ardhmen e tyre”, tha kandidati socialist Ermal Dredha.


Ora 09:12 – Probleme teknike edhe në qarkun e Fierit

Probleme me pajisjen e identifikimit biometrik ka pasur dhe në qarkun e Fierit.

Korrespondentja e Klan News Anila Sefa raporton se pavarësisht kushteve të këqija të motit dhe këtyre problemeve teknike, shumë qytetarë u janë drejtuar qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre.

Qarku i Fierit ka plot 587 qendra votimi ku pritet të votojnë mbi 104 mijë qytetarë.

“Ka pasur probleme me pajisjet e identifikimit biometrik, është ndërhyrë pasi kanë votuar qytetarët e parë, por sërish problematikat kanë qenë të shumta. Këto probleme kanë vonuar ecurinë normale të procesit, por kjo nuk i ka penguar qytetarët të votojnë. Janë 6 bashki në total për qarkun e Fierit ku në 3 prej tyre ka një garë të fortë elektorale.”

Në këtë qark, janë rritur listat e votuesve që marrin pjesë për herë të parë në këto zgjedhje lokale.


Ora 09:03 – Voton Presidenti Begaj: Ushtrova detyrën time si qytetar, sot ditë e rëndësishme për demokracinë

Presidenti Bajram Begaj i shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj kanë votuar rreth orës 09:00 të  mëngjesit e sotëm për të vendosur drejtuesin vendor për 4 vitet e ardhshme.

Pas votimit, Presidenti Begaj ka dhënë një prononcim për mediat ku ka thënë se sot është dita më e rëndësishme, ku edhe ai ka dhënë detyrën e tij si qytetar.

Bajram Begaj: Sot është një ditë e rëndësishme në demokraci, dita e zgjedhjeve. Ushtrova detyrën time si qytetar. Çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë sot ka ditën që mund të dëgjohet që vota e tij të lexohet, fuqia dhe pushteti i votës së tij të bëjë ndryshimin. Unë e kam thënë që këto votime nuk janë të partive politike, por janë të qtyetarëve dhe duhet t’i shërbejnë qytetarëve.


Ora 08:47 – Në qarkun e Kukësit, pjesëmarrje e ulët në 139 qendra votimi

Në qarkun e Kukësit, situata deri më tani paraqitet e qetë sa i takon procesit zgjedhor, përveç problemeve me pajisjen e identifikimit biometrik për shkak të ndërprerjeve të shkurtra të energjisë elektrike.

Gazetari i Klan News Merin Maçi raportoi nga Pallati i Kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës, duke thënë se ka pasur një prezencë të ulët të qytetarëve që i janë drejtuar kutive të votimit.

Janë 139 qendra votimi për të gjithë qarkun, Has, Kukës dhe Tropojë. Ditën e shtunë, edhe pse heshtje zgjedhore në këtë qytet ka pasur lëvizje të simpatizantëve të forcave politike.

Megjithatë, Maçi bën me dije se ka pasur mobilizim të forcave policore dhe nuk është shënuar asnjë problem. Pritet që kandidatët për bashkinë e Kukësit të votojnë në vijim.

Maçi evidenton një problematikë me pajisjet e identifikimit biometrik për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike për disa minuta, por që është zgjidhur dhe tanimë procesi i votimit vijon normalisht.


KQZ: 1.29% pjesëmarrja në votime deri në orën 08:00

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka raportuar se deri në orën 08:00, pjesëmarrja në votime në të gjithë vendin ka qenë 1.29% ose kanë votuar 23,047 persona.

Nga 5211 QV gjithsej, për pjesëmarrjen kanë raportuar 2468 qendra votimi.

Në të gjithë vendin ka patur disa probleme teknike në disa qendra votimi.


Ora 08:30 – Voton Belind Këlliçi: Sot është dita e madhe, qytetarët të dalin të votojnë

Kandidati i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka votuar në shkollën “Dora d’Istria” në orën 08:30.

Pas votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve, e sidomos të rinjve, që të dalin në votime dhe të bëjnë ndryshimin.

Belind Këlliçi: “Sapo kreva detyrën time si qytetar. Ftoj të gjithë qytetar e Tiranës që të shkojnë sot në qendrat e tyre të votimit. Ftoj të gjithë të rinjtë, ata mijëra qytetarë që në këto 5 muaj kam takuar. Sot është dita e madhe, sot është 14 Maji, është dita kur kemi në dorë fatet e këtij qyteti.

Kam një apel për rininë, për gjithë vajzat, djemtë, gjithë të rinjtë që kanë një moment që mendojnë se duhet të ikin nga ky qytet. I them jo, hajdeni votoni,hajdeni bashkë të ndryshojmë të ardhmen e qytetit tonë. Për të gjitha ato punë të pabëra, për gjithë shpresat që janë shuyar, dilni dhe votoni. Askush nuk ju kontrollon dot votën. As Belind Këlliçi, as Erion Veliaj. Ftoj të gjithë qytetarët të votojnë me ndërgjegjie të pastër, të votojnë për 4 vitet e ardhshme. Unë e kreva detyrën time.

Deri tani përpos disa gjërave të vogla teknike, procesi është duke shkuar normalisht. Sot është një ditë feste. Sot është dita e dita e ndryshimit, dilni dhe votoni”.


Ora 08:30 – Situatë e qetë në qarkun e Lezhës, pjesëmarrje e ulët votuesish në Mirditë

Në bashkinë e Mirditës nuk është shënuar asnjë problematikë me procesin e votimit deri në këtë orë.
Megjithatë, gazetari Maksi Rama raporton se ka pasur një pjesëmarrje të ulët të qytetarëve të cilët i janë drejtuar kutive të votimit.

“Ka pasur një pjesëmarrje relativisht të ulët, ndërkohë që vetëm në Rrëshen janë 9 qendra votimi. Janë 48 qendra votimi në terësi, kjo pjesëmarrje e ulët ndoshta vjen dhe për shkak të kushteve të këqija atmosferike.”

Ndërkohë në Lezhë ka pasur probleme me pajisjen e identifikimit biometrik, vetëm në 3 qendra votimi. Gazetarja Vera Deda bën me dije se situata e përgjithshme është e qetë.


Ora 08:24 – 80 qendra votimi në Bashkinë Shkodër probleme me sistemin

Në qytetin e Shkodrës ka probleme me sistemin në 80 qendra votimi dhe akoma nuk ka nisur procesi zgjedhor. Gazetarja e Klan News, Emi Kalaja raporton nga Shkodra se përveç këtyre qendrave, në qendrat e tjera të votimit, procesi zgjedhor ka nisur normalisht dhe janë shfaqur votuesit e parë.

Emi Kalaja nga Shkodra: Procesi i votimi në Shkodër në 80 qendra nga 247 qendra në total që ka Bashkia Shkodër ka probleme me sistemin. Në 80 qendra akoma nuk ka nisur procesi i votimit, ashtu siç parashikohej që në 07:00. Në 80 qendra ka probleme me sistemin dhe akoma nuk ka nisur procesi i votimit. Në qendrat e tjera ka nisur normalisht, janë shfaqur votuesit e parë. Ka nisur në shumicën e qendrave të votimit procesi.

Gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli nga Vau i Dejës raporton se në shumicën e qendrave të votimit ka nisur procesi zgjedhor, ndërkohë që problem mbetet vetëm në një qendër për shkak të një problemi të pajisjes së identifikimit të votuesve.

Enkel Xhangoli nga Vau i Dejës: Në shumicën e qendrave të votimit ka nisur procesi i votimit. Në qendrën e votimit ku unë ndodhem nuk ka nisur akoma procesi, për shkak të një problemi të pajisjes së identifikimit të votuesve. Në Vaun e Dejës ka nisur sipas rregullave në shumicën e qendrave të votimit. Nuk janë shënuar incidente dhe as raste denoncuese nga ana e qytetarëve. Gjithçka vijon normalisht, përveç një prej qendrave. Votojnë 40 mijë qytetarë.  Ky proces po vijon normalisht.


Ora 08:21 – Policia e Shtetit: Asnjë problem me qendrat e votimit dhe materialet zgjedhore

Policia e Shtetit raporton se asnjë problem nuk është konstatuar gjatë ruajtjes së objekteve dhe materialeve zgjedhore, si dhe gjatë procesit të dorëzimit të qendrave të votimit te komisionerët e QV-ve, mëngjesin e sotëm.

Punonjësit e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, të planëzuar me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe materialeve zgjedhore, nisën prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 14 maj 2023,  dorëzimin e qendrave të votimit sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit.

Shërbimet e policisë, gjatë kryerjes së shërbimit për ruajtjen e qendrave të votimit, nuk kanë konstatuar asnjë problem.

Punonjësit e policisë që kanë dorëzuar qendrat e votimit janë përqendruar në stacionet e përkohshme policore, të miratuara nga KQZ-ja, siç e përcakton ligji.

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për të përmbushur misionin e saj për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike në të gjithë vendin, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë, në funksion të garantimit të një procesi të qetë zgjedhor.


Ora 08:12 – Gazetarja raporton nga Himara: Ka pasur dyndje qytetarësh në 36 qendrat e votimit

E vetmja problematikë e shënuar deri më tani në 36 votimi të bashkisë së Himarës, ka të bëjë me pajisjen e identifikimit biometrik.

Gazetarja e Klan News Glidona Daci ka raportuar se atje situata paraqitet e qetë, duke theksuar se që në orët e para të mëngjesit ka pasur një dyndje të qytetarëve për të votuar.

Në 36 qendra votimi të bashkisë së Himarës ka nisur procesi i votimit, në 3 prej tyre ka ende problematika, sepse nuk kanë ditur të ndezin pajisjen dhe ka pasur mungesë të operatorëve teknikë. 7 qendra votimi nuk janë hapur që në orën 07:00 të mëngjesit, por më vonë për shkak të mungesës së komisionerëve. Në 4 qendra votimi të bashkisë së Himarës që në orët e para të mëngjesit ka pasur një dyndje qytetarësh të cilët kanë shkuar për të votuar.”

Daci thekson se rreth 5 autobusë të mbushur me emigrantë kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Himarë, për t’ju bashkuar procesit të votimit.

Situata duket e qetë ndërkohë që deri në orët e vona të ditës së djeshme kanë mbërritur 5 autobusë me emigrantë për të hedhur votën e tyre në kutitë e votimit.


Ora 08:11 – Nis me probleme teknike votimi elektronik në një qendër në Elbasan

Në qendër votimi në Elbasan ka nisur me probleme teknike ky proces.

Korrenspondenti Fatos Salliu raporton se bëhet fjalë për qendrën e votimit 23/69, ku pajisja e identifikimit nuk rakodon me pajisjen që do të kryhet votimi elektronik, pasi i përket një qendre tjetër votimit.

Për këtë problem teknik është njoftuar KQZ dhe po pritet që të zgjidhet kjo problematikë.

Ndërkohë në qendrat e tjera të votimit nuk raportohet për probleme dhe situata është e qetë.

Në Elbasan votojnë 171,250 qyterarë dhe për herë të parë në këtë qytet aplikohet votimi dhe numërimi elektronik.


Ora 08:06 – Votimi elektronik në Vorë nis me vonesë në disa qendra, problemi teknik krijon radhë qytetarësh

Vora, Elbasani dhe Kamza votojnë sot elektronikisht. Nga Vora, gazetarja e Klan News Dorentina Halili shprehet se ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi dhe për pasojë janë krijuar radhë qytetarësh në disa qendra për të votuar.

Dorina Halili nga Vorë: Jo në të gjitha qendrat e votimi ka nisur procesi që në orën 07:00. Ka pasur disa vonesa në disa qendra votimi. Ka pasur problematika me pajisjet elektronike. Procesi ka nisur 30-40 minuta me vonesë. Tashmë ky proces ka nisur në të gjitha qendrat e votimit të Vorës. Kemi qytetarë në radhë që kanë ardhur për të votuar. Janë krijuar radhë pasi ka pasur vonesa. Nuk ka pasur problematika të tjera. Ka pasur problematika dhe me kamera që jo të gjitha kanë funksionuar, por është dashur ndërhyrja e teknikëve. Në minutat e para të nisjes së këtij procesi, nuk ka pasur shumë qytetarë, por pastaj qytetarët janë grumbulluar dhe aty ku ka pasur problematika ka pasur radhë.

Gazetarja e Klan News, Halili ka marrë në pyetje një nga komisoneret në qendrën e votimit në Vorë, e cila është shprehur se problemi ka qenë tek pajisjet dhe për pasojë ka pasur një vonesë prej 20 minutash.

“Rreth 20 minuta, ka qenë një problem i vogël teknik tek pajisjet. Nuk ka pasur më problematika. Familjarët janë që i ndihmojnë për të votuar elektonikisht. Vetëm ata lejohen.”

Edhe Kamza voton sot në mënyrë elektronike. Gazetarja e Klan News, Erikleda Dorezi raporton nga Kamza se nuk ka pasur asnjë problematikë në këtë bashki lidhur me procesin elektonik të votimeve.

Erikleda Dorezi nga Kamza: Në Kamëz, votimi dhe identifikimi është elektronikisht. Procesi ka nisur në mënyrë të rregullt, nuk ka pasur asnjë problematikë. Kemi në total 109 mijë zgjedhës, 56 mijë meshkuj dhe 53 mijë janë femra. Nuk ka pasur problematikë. Në krah të votuesve, procedohet dhe me ndihmën e një operatorit teknik që ju ofron ndihmë, por gjithmonë duke ruajtur fshehtësinë e votës.


Ora 08:00 – Nis me problematika votimi në disa qendra në Qarkun e Dibrës

Ka nisur me problematika procesi i votimit në disa qendra votimit në Qarkun e Dibrës.

Në qendrën e votimit 1101 në Maqellarë mungon proces-verbali i hapjes së kësaj qendre votimit.

Në Kastriot, në një qendër votimit nuk ka energjie elektrike.

Në Klos nuk ka nisur ende votimi në 10 qendra votimi nga 27 gjithsej, për shkak se nuk punon lexuesi elektronik. Pritet një përgjigje nga KQZ për të filluar manualisht.


Ora 07:51 – “Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë”

Në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë. Informacionin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan News Klesiana Omeri.

“Një tjetër problematikë është dhe për numrin e operatorëve teknikë, në rreth 100 qendra e votimi në vend nuk kanë asnjë operator teknik. Rreth 100 prej tyre janë tërhequr nga aplikimi dhe marrëveshja që kanë bërë me KQZ, pritet që në këto qendra votimi të kryhet në mënyrë tradicionale. S’ka informacion nëse janë zëvendësuar komisionierët në qendrat ku ka pasur problematika, sepse thuhet se dhe me 4 komisionerë mund të funksionojë, problematike janë 17 qendra me 3 anëtarë.”

Po ashtu, gazetarja bën me dije se këtë mëngjes ka pasur probleme dhe me pajisjen e identifikimit biometrik në disa qendra në kryeqytet.

Në shumicën e qendrave të votimit ka nisur dhe procesi i votimit për qytetarët, ndërkohë KQZ ende nuk ka një njoftim zyrtar se në sa qendra ka problematika me sistemin e pajisjes, në një prej tyre ku ka shkuar të votojë dhe Ilirjan Celibashi dhe është hasur me problematika me pajisjen e identifikimit biometrik”, deklaroi gazetarja.

Lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me një njoftim zyrtar. Mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote ftohen këtë të Dielë të votojnë për të zgjedhur  61 drejtuesit e rinj të bashkive të vendit mes 144 kandidatëve.


Ora 07:42 – Gjiknuri mesazh për qytetarët: Dilni masivisht në votime, vendosni për fatin e bashkive tuaja

Drejtuesi Politik i Qarkut Elbasan, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri iu është drejtuar me një mesazh të gjithë qytetarëve që të dalin masivisht në votime dhe të vendosin për fatin e bashkive të tyre.

Në mesazhin e tij, Gjiknuri ka bërë thirrje që të gjithë strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur fushatën zgjedhore.

Damian Gjiknuri: Sot është 14 Maji, një ditë që është kushtrimi i votës tuaj. Dua të ju bëj thirrje të dilni masivisht në votime dhe të merrni pjesë për të vendosur për fatin e bashkive tuaja. Gjatë kësaj fushate që ka qenë një fushatë shumë e qetë dhe shumë qytetare, ajo që fitoi në këtë fushatë ka qenë qetësia, maturia dhe qytetaria, shpresojmë që kjo gjë të shkojë deri në fund dhe të gjitha strukturat zgjedhore të zbatojnë ligjin për të përmbyllur një fushatë të mrekulleshme që i ka pasur hije këtij qarku. Më e rëndësishme është të vendosni për fatin e familjeve tuaja dhe çdo shqiptar do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për të ecur përpara.


Ora 07:38 – Incident në Kolonjë, dhunohet kandidati i PS Erion Isai

Kryebashkiaku i Kolonjës dhe kandidati i PS për një tjetër mandat në këtë bashki, Erion Isai është goditur fizikisht në mesnatë.

Siç mëson korrenspondentja e Klan News Danjela Zisi, kryebashkiaku ka qenë në fshatin Qinam duke u kthyer në banesën e vet, kur kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” Ethem Lumani së bashku me disa simpatizantë të opozitës kanë bllokuar rrugën dhe e kanë kërcënuar.

Njëri nga simpatizantët e PD, Esmerald Kacolli, që kishte bllokuar rrugën i është afruar Isait duke e goditur me grusht në fytyrë. Pas kësaj ngjarje mësohet se kryetari i Bashkisë Kolonjë ka denoncuar rastin në komisariatin e policisë.

Ndërsa sipas shtabit të kandidatit të opozitësm këta të fundit kishin marrë një informacion që në fshatin Qafëzez, Erion Isai me stafin po kryenin fushatë dhe se po shpërndanin para. Grupi i mbështetësve të opozitës ka shkuar në fshat. Mes palëve ka patur shtyrje. Truprojat e Isait kanë shtyrë kandidatin e koaliconit “Bashkë Fitojmë”, E’them Lumani, po ashtu edhe kryetarin e PS Aldo Xhelili. Në këtë moment ka ndërhyrë një nga simpatizantët e koalicionit opozitar dhe ka goditur kryebashkiakun Erion Isai. Shoqëruesit e këtij të fundit njoftuan policinë për incidentin.

Për ngjarjen është bërë denoncim edhe nga ana e kandidatit Lumani.

Pas veprimeve proceduriale të policisë, Xhemal Kalo është proceduar penalisht në gjendje të lirë për pëngimin e qarkullimit të automjeteve. Ndërsa Esmeraldo Kacolli është arrestuar për akuzën e goditje për shkak të detyrës ndaj kryebashkiakut të Kolonjës Erion Isai.


Ora 07:00 – Nis zyrtarisht procesi i votimit

Janë hapur qendrat e votimit në Shqipëri, sipas orarit zyrtar për të votuar. Qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit nga ky moment e deri në orën 19:00 kur dhe mbyllet ky proces, e më pas nis ai i numërimit të votave.

Në zgjedhjet vendore të 14 Majit votohet për 61 kryetarë bashkie dhe për këshillat bashkiakë. Janë mbi 3.6 milionë qytetarë me të drejtë vote që do të zgjedhin mes 144 kandidatëve për kryebashkiakë.

Në 61 bashki të vendit janë të hapura 5213 qendra votimi. Për herë të parë në Kamëz, Vorë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.

Për një vend në këshillat bashkiakë janë regjistruar 23 mijë e 700 kandidatë për 1603 pozicione. 44 parti janë regjistruar në zgjedhje nga të cilat 38 janë jashtë koalicioneve.

 

REDAKSIA TVKLAN.AL

Lexo gjithashtu
Total
0
Share