ZGJEDHJET NË SHBA
Publikisht dhe privatisht, demokratë me peshë po dërgojnë sinjale shqetësimi dhe disa shpresojnë se presidenti amerikan Joe Biden duhet të bëjë një rivlerësim të trajektores së garës. Zërave ia janë bashkuar edhe Barack Obama dhe ish kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi.
Demokratët vazhdojnë ndasitë për sa i përket rikandidimit të presidentit Biden.
Pas paraqitjes së dobët të tij gjatë debatit me Trump muajin e kaluar, presidenti Biden i ka rezistuar trysnisë së shtuar për t’u tërhequr nga kandidimi, ndërsa po afron Konventa e Partisë Demokrate që pritet të mbahet muajin e ardhshëm në Çikago.
Sipas një anketimi të publikuar nga Qendra për Studime Publike dhe agjencia e lajmeve Associated Press, gati dy të tretat e demokratëve në rang vendi mendojnë se presidenti Biden duhet të tërhiqet nga gara dhe ta lejojë partinë e tij të përzgjedhë një kandidat tjetër.
Zërave të demokratëve që kërkojnë largimin e Biden nga gara iu është bashkuar edhe ish-presidenti Barack Obama. Ish presidenti u ka shprehur demokratëve privatisht shqetësimin në lidhje me rikandidimin e Joe Biden. Por edhe pse Obama ka dëgjuar shqetësimet e demokratëve, ai ka këmbëngulur se vendimin për të mbetur në garë i takon vetëm Biden-it.
Po kështu edhe ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e ka paralajmëruar privatisht Biden, se demokratët rrezikojnë të mos e rimarrin kontrollin e kësaj dhome të Kongresit, nëse ai nuk largohet nga gara. Pelosi i ka treguar gjithashtu Biden të dhënat e një sondazhi që tregonte se ai me gjasë nuk mund të fitonte përballë republikanit Donald Trump.
Të shqetësuar rreth aftësisë së presidentit Joe Biden për të fituar zgjedhjet këtë nëntor, demokratët po e nxisin atë të rishqyrtojë çështjen e kandidimit, ndërsa ai po qëndron larg fushatës, për shkak të infektimit me COVID-19. Publikisht dhe privatisht, demokratë me peshë po dërgojnë sinjale shqetësimi dhe disa shpresojnë se ai do t’i bëjë një rivlerësim trajektores së garës.
Edhe senatori nga Montana, Jon Tester, u bë i dyti nga grupi demokrat që i bëri thirrje të tërhiqet nga kandidimi. Gjatë javës së kaluar, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësi demokrat i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, biseduan privatisht me presidentin, duke parashtruar pikëpamjet e demokratëve në Kongres./tvklan.mk/