Shaip Kamberi nga lista “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon” ka arritur të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Serbisë në zgjedhjet e mbajtura këtë të diel.
Derisa procesi i numërimit të votave vazhdon, Kamberi në një dalje për media konfirmoi se ai sërish do të jetë zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Serbisë.
“I kemi diku 11.500 vota të koalicionit tonë. 6 mijë vota i kemi në Bujanoc dhe 5 mijë vota në Preshevë. Faktikisht koalicioni ynë ka arritur të sigurojë një mandat, pasi me nivelin e daljes që e kemi në tërë territorin e Serbisë, që do të duhej të ishin të mjaftueshme mbi 10 mijë vota, por në rastin e listave të pakicave kjo tani shumëzohet me plus 35 përqind, që do të thotë se ne i kemi mbi 13 mijë vota e që janë të mjaftueshme për një mandat”, ka theksuar Kamberi në një deklaratë për Radio Televizionin e Kosovës.
Sipas rezultateve të deritanishme të publikuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve, bazuar në 1.069 vendvotime të përpunuara, prin koalicioni “Aleksandar Vuçiq – Serbia nuk duhet të ndalet” me 53,21 për qind të votave të fituara.
Në zgjedhjet e përgjithshme në Serbi, shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit garuan të ndarë me dy lista: “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi” dhe “Alternativa Demokratike Shqiptare-Lugina e Bashkuar”.