QENDRA ZHUPË DHE MAVROVË-ROSTUSHË ME KRYETAR KOMUNASH
Zgjedhjet e djeshme për këshilin Komunal në Tetovë dhe ato për zgjedhjen e Kryetarit të Komunave Qendër Zhupë dhe Mavrovë-Rostushë kanë ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve të 17 tetor të vitit 2021.
Në rezultatet e publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve 3340 votues nga gjithsej 3395 kanë votuar për kandidatin e vetëm Arijan Ibraim në Qendër Zhupë. Siç njoftoi mbrëmë vonë kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Dashtevski, 55 fletëvotime ishin të pavlefshme, ndërsa jehona ishte 47,46 për qind. Në Mavrovë-Rostushë, kandidati i LSDM-së Medat Kutrovski fitoi 3266 vota, ndërsa Mevmed Xhaferi nga VMRO-DPMNE 1935 vota. Pjesëmarrja ishte 54.24 për qind dhe 195 fletëvotime ishin të pavlefshme, raporton Klan M.
Zgjedhjet e djeshme për Këshillin e Tetovës e kanë ndryshuar përbërjen paraprake, e cila u zgjodh më 17 tetor të vitit 2021.
Sipas rezultateve të cilat i ka publikuar KSHZ, Lëvizja BESA ka fituar 12 mandate apo 4 më shumë se vitin e kaluar, ndërkaq BDI ka fituar 11 mandate, apo 1 më shumë. Aleanca për Shqiptarët nuk ka marrë asnjë këshilltar, ndërkaq PDSH dhe Alternativa nga 1. Në kampin maqedonas, VMRO-DPMNE ka marrë 4 mandate, ndërkaq LSDM 2. Në zgjedhjet e vitit 2021, BDI i ka ikur Lëvizjes BESA 1.747 vota, por në zgjedhjet e djeshme Lëvizja BESA e ka përmbysur rezultatin duke i ikur BDI-së 918 vota. Krahasuar me vitin 2021, gjatë zgjedhjeve të djeshme të gjitha partitë, përveç Lëvizjes Besa kanë pasur rënie të votave. Për dallim prej vitit 2021, me këto zgjedhje jashtë Këshillit të Tetovës kanë mbetur iniciativa “Më mirë për Tetovën” dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilët paraprakisht kishin nga 2 këshilltarë.
Tani më ka filluar afati për ankesa, i cili skadon të hënën në orën 19:00, ndërsa afati për përmbledhjen dhe publikimin e rezultateve është deri të martën në orën 01:00. /KlanMacedonia/