Zgjedhjet 2024/ Të mërkurën nënshkruhet deklarata për zgjedhje të lira dhe demokratike

Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje në Maqedoni të mërkurën, një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore, do të nënshkruajnë Deklaratën për zgjedhje të ndershme, të lira dhe demokratike dhe kundër gjuhës së urrejtjes.

Nënshkrimi i Deklaratës është një ngjarje tradicionale e organizuar nga Instituti i Ohrit që nga viti 2014 dhe mbahet para çdo zgjedhje. Deklarata do të nënshkruhet nga kryetarët dhe anëtarët e rinj të partive politike.

“Nënshkrimi i kësaj Deklarate do të përçojë një mesazh të qartë për të gjithë opinionin në vend se politikanët e rinj, si vendimmarrës të ardhshëm, kanë një vullnet dhe vendosmëri të fortë për të qenë liderë të ardhshëm dhe për të krijuar një kulturë të ndryshme politike duke e ngritur dialogun politik në nivel më të lartë”, thonë nga Instituti i Ohrit.

Fushata për zgjedhjet presidenciale fillon me 4 prill dhe zgjat deri më 22 prill kur dhe fillon heshtja për zgjedhjet presidenciale.

Ndërkaq, fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare që mbahen më 8 maj të këtij viti fillon më 18 prill dhe do të zgjasë deri më 6 maj.

Pjesëmarrësit në zgjedhje, listat me kandidatë për deputetë duhet të dorëzohen në KSHZ më së voni deri më 2 prill apo 35 ditë para ditës së zgjedhjeve.  Shortin për përcaktimin e listës së vetme të kandidatëve për deputetë KSHZ-ja do ta mbajë më së voni më 13 prill./tvklan.mk

Lexo gjithashtu
Total
0
Share