Është nënçmuese që partitë të dakordojnë koalicionet para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare – ka deklaruar Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani.
Ai ka përsëritur qëndrimin partiak të BDI-së se duhet të respektohet vullneti i qytetarëve, por ka komentuar edhe pohimet se partitë maqedonase nuk dëshirojnë të koalicionojnë me BDI-në.
“Qëllimi ynë nuk është që të kemi simpati. Është ofenduese logjika e mbrapshtë se partitë politike shqiptare duhet të luftojnë për simpatitë e partive maqedonase. Më tepër ofenduese është që të flitet për koalicione 9 ditë para zgjedhjeve. Fakti se partitë politike bëjnë kalkulime për mua është nënçmin i demokracisë dhe dinjitetit për çdo popull”, tha Bujar Osmani.
Ai shtoi se, tashmë kjo nuk është çështje e zgjedhjeve mes Frontit Evropian dhe VLEN-it, por sipas Osmanit, kemi situatë të mobilizimit kundër tentimit për rrënim të dinjitetit të popujve në këtë shtet, duke folur për qeveri të ardhshme para se të deklarohet populli më 8 maj.
“Hristijan Mickoski, lideri i VMRO – DPMNE-së, ditët e fundit arriti të rikthejë një kujtim te shqiptarët për robërimin njëqind vjeçar, poshtërim dhe nënçmim. Arriti që te çdo shqiptar, te çdo familje shqiptare të irritojë një nerv të cilin menduan se është fshehë thellë. Rikthejë një kujtim nga koha e Jugosllavisë, kur Bogradi jugosllav thoshte, pavarësisht nga ajo që ju do të dëshironi, Rahman Morina është ai që do t’ju përfaqëso, ndërsa Morina qeshte në mënyrë cinike”, tha Osmani.
Ai përsëriti se, sloganet e opozitës maqedonase janë thirrjet më shoviniste që mund të paraqiten në një shtet multietnik, duke shtuar se, me politikën që Mickoski e përfaqëson tani, shteti ka humbur 20 vite nga rruga e tij integruese drejt BE-së./tvklan.mk